Afati që iu dha Kurtit për deeskalim, Lajçak ka informuar Borrellin dhe shtetet anëtare të BE’së

Afati që iu dha Kurtit për deeskalim, Lajçak ka informuar Borrellin dhe shtetet anëtare të BE’së

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të vizitave në Kosovë dhe Serbi, e ka informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për rezultatet. Më pas Borrell ka nisur t’i informojë vendet anëtare të BE-së për hapat e radhës që duhet të ndërmerren.

Kështu i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

“Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, theksoi Stano.

Ndërkohë, nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë informuar për vizitën që Mirosllav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan, Gabriel Escobar, kanë pasur gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd. Detyra e tyre ishte të përçojnë kërkesat për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Sipas këtyre burimeve, nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të bisedohet për masat drejt shtensionimit të situatës, por, siç thuhet, kryeministri Albin Kurti ka hezituar të pranojë kërkesën për heqjen e menjëhershme të policisë speciale nga objektet komunale.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime, “pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”.

Escobar gjatë qëndrimit në Kosovë, në një takim që pati me gazetarë, tha se e premtja e kësaj jave është dita e fundit kur ai dhe Lajçak do t’u raportojnë eprorëve të tyre për suksesin që kanë pasë përpjekjet për shtensionim të situatës në Veri. Kjo u pa si afat i caktuar për Kosovën që të përmbushë kërkesat e tyre

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova