Ministri Mehaj tha se Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të Ministrisë së Mbrojtjes ndërsa në Babaj të Bokës do të bëhet një zonë operacionale për FSK-në ku do të ndërtohen poligone taktike.
Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bënë të ditur se kanë përfunduar të gjitha procedurat për shpronësimin e tokave në Babaj të Bokës në Gjakovë dhe në Aeroportin e Gjakovës me qëllim fillimin e zbatimit të projekteve strategjike për ushtrinë e Kosovës në këto dy zona, transmeton Anadolu.
Ministrat kosovarë në një konferencë për media bënë të ditur se dy projektet milionëshe po bëhen me synim të rritjes së kapaciteteve trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për arsye strategjike.
Ministri Mehaj tha se Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të Ministrisë së Mbrojtjes ndërsa në Babaj të Bokës do të bëhet një zonë operacionale për FSK-në ku do të ndërtohen poligone taktike.
“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes. Në Babaj të Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së në të cilën do të ndërtohen poligone taktike moderne sipas standardeve të NATO-s”, theksoi Mehaj.
Ai tha se investimi në këto dy projekte do të bëhet në koordinim me partnerët strategjikë, sidomos me SHBA-në, derisa ka falënderuar aleatët strategjikë për ndihmën në realizimin e këtyre projekteve.
Ministri Aliu tha se shpronësimi i pronave për t’i realizuar këto projekte kanë qenë prioritete për ministrinë që ai drejton. Ai theksoi se kanë shpronësuar pothuajse të gjitha pronat të cilat kanë kaluar në emër të Qeverisë ndërsa deri tani kanë shpenzuar 9.4 milionë euro.
“Kemi arritur në vitin 2023 të kryejmë shpronësimet për arsye strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes. Deri më tani janë kryer 9.4 milionë euro pagesa. Pas kryerjes së pagesave, kemi bërë kërkesë tek Agjencia Kadastrale që pronat e shpronësuara t’i kalojnë Qeverisë për nevojë të Ministrisë së Mbrojtjes”, theksoi Aliu.
Aliu tha se pothuajse të gjitha pronat tashmë janë bartur në emër të Qeverisë.
Aeroporti i Gjakovës i cili gjendet rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Gjakovës u rindërtua pas luftës së vitit 1998/99 nga Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, përkatësisht nga paqeruajtësit italianë.
Deri në vitin 2013, ai është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të misionit të NATO-s, ndërsa në dhjetor të vitit 2013 pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet qeverive të atëhershme të Italisë dhe Kosovës, Aeroporti i Gjakovës me të gjitha mjetet për operim është transferuar tek autoritetet e Kosovës.
Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës mori vendim që Aeroporti i Gjakovës t’i jepet në shfrytëzim FSK-së.













