A është ushtruar nga forcat speciale hungareze për arratisjen e Dodikut: Shumëçka kujton rastin e Gruevskit

Ardhja e pjesëtarëve të njësisë speciale hungareze TEK në Bosnje dhe Hercegovinë, pak para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për Milorad Dodikun, ka shkaktuar një sërë dyshimesh.

Edhe pse versioni zyrtar i ardhjes së forcave speciale është një stërvitje e përbashkët me pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme të Republikës Sërpska, koha e mbërritjes, mënyra e hyrjes dhe operacionet e mëparshme hungareze ngjallin dyshime serioze se kjo mund të jetë më shumë sesa një trajnim i zakonshëm.

Rasti rikujton operacionin e vitit 2018, kur shërbimet inteligjente hungareze organizuan arratisjen spektakolare të ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili shmangu dënimin me burg dhe gjeti strehim në Budapest.

Hyrja “misterioze” e TEK-ut në BiH

Forcat speciale hungareze hynë në Bosnje dhe Hercegovinë si civilë, pa armë dhe me automjete pa shenja identifikuese. 40 pjesëtarë të kësaj njësie mbërritën përmes disa pikave kufitare në verilindje të vendit, ndërsa deri në fund të stërvitjes më 9 mars pritet të vijnë edhe 38 të tjerë. Ajo që është veçanërisht intriguese është se ata u shfaqën të nesërmen plotësisht të pajisur, me uniforma dhe me një automjet komandues me teknologji të lartë, i cili nuk ishte raportuar në dokumentet zyrtare.

Mbërritja e forcave speciale hungareze përkoi me momentin kur Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës shpalli aktgjykimin e shkallës së parë për Dodikun, duke e dënuar me një vit burg dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për gjashtë vjet. Dyshimet u shtuan edhe më shumë nga fakti që Dodiku, vetëm 20 orë para se pjesëtarët e TEK-ut të konfirmoheshin zyrtarisht në BiH, paralajmëroi në Kuvendin Popullor të RS ardhjen e tyre, duke pretenduar se kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje me kryeministrin hungarez Viktor Orbán.

Roli i Orbánit dhe shembujt e mëparshëm

Lidhja hungareze me politikanët në arrati nuk është diçka e re. Shembulli më i njohur është rasti i Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i cili në nëntor të vitit 2018 u arratis nga vendi me ndihmën e diplomatëve dhe shërbimeve inteligjente hungareze. Pavarësisht se ndaj tij ishte shpallur fletarrest ndërkombëtar, ai kaloi disa kufij shtetërorë duke përdorur automjete diplomatike dhe, sipas ish-kryeministrit Zoran Zaev, ai u fsheh edhe në bagazhin e një makine.

Kur më në fund gjeti strehim në Hungari, qeveria e Orbánit i dha azil.

Rasti i Gruevskit nuk ishte i vetmi. Në vitin 2024, ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro kërkoi strehim në ambasadën hungareze në Brazil, nga frika e arrestimit pasi i ishte konfiskuar pasaporta. Po ashtu, politikani polak Marcin Romanowski, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës, u arratis në Hungari dhe atje mori mbrojtje.

Edhe pse Dodiku më parë ka deklaruar se nuk do të arratisej, Hungaria është dëshmuar si një strehë e sigurt për liderët që i ikin proceseve gjyqësore. Nëse situata në BiH do të përshkallëzohej dhe Dodiku do të vlerësonte se rrezikohej arrestimi i tij, nuk do të ishte e paimagjinueshme një skenar i ngjashëm me atë të Gruevskit.

Mbërritja e TEK-ut, operacioni i tyre i pazakontë dhe prania e një automjeti me teknologji të lartë, i cili më parë është përdorur për mbikëqyrje dhe koordinim të operacioneve speciale, vetëm sa forcojnë dyshimet. Nëse kjo është vetëm një stërvitje apo tashmë po përgatitet një plan për një arratisje të mundshme, mbetet për t’u parë – dhe përgjigjen mund ta marrim shumë shpejt./Gazetaere

Kategoritë
LajmeRajoni