A do ta kufizojnë izraelitët hyrjen e palestinezëve në Al-Aqsa gjatë Ramazanit: Mijëra policë do të jenë aty ditë e natë

Policia izraelite njoftoi se me rastin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit do të dislokojë një numër të madh forcash rreth xhamisë Al-Aqsa.

Ky informacion vjen pasi zyrtarët palestinezë akuzuan Izraelin për vendosjen e kufizimeve në kompleksin e xhamisë.

Gjatë muajit të agjërimit dhe lutjes, qindra mijëra palestinezë tradicionalisht marrin pjesë në faljet në Al-Aqsa – vendi i tretë më i shenjtë në Islam, i cili ndodhet në Jerusalemin Lindor, të pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 dhe më pas të aneksuar.

Arad Braverman, zyrtar i lartë i policisë në Jerusalem, deklaroi se forcat do të jenë të pranishme ditë e natë në të gjithë kompleksin, i njohur nga hebrenjtë si Mali i Tempullit, si dhe në zonat përreth.

Ai tha se mijëra policë do të jenë në detyrë edhe gjatë faljeve të së premtes, të cilat tërheqin numrin më të madh të besimtarëve myslimanë.

Braverman bëri të ditur se policia ka rekomanduar lëshimin e 10.000 lejeve për palestinezët nga Bregu Perëndimor i pushtuar, të cilëve u nevojitet leje e veçantë për të hyrë në Jerusalem.

Autoriteti palestinez për Jerusalemin njoftoi në një deklaratë të veçantë se është informuar që lejet do të kufizohen sërish për burrat mbi 55 vjeç dhe gratë mbi 50 vjeç, duke reflektuar kriteret e vitit të kaluar.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se autoritetet izraelite kanë penguar institucionin jordanez që administron vendin të kryejë përgatitjet rutinë, përfshirë vendosjen e strukturave për hije dhe klinikave të përkohshme mjekësore.

Kategoritë
BotaLajme