​Nis gjysmëvjetori i dytë, SBASHK-u paralajmëron greva

Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2020/2021 ka nisur. Shkollat kanë bërë përgatitjet programore si dhe kanë dezinfektuar në tërësi hapësirat e objekteve shkollor. Ndërsa Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po paralajmëron veprime sindikale në rast se nuk iu paguhen shtesat prej 100 euro punëtorëve të arsimit.

Se është bërë përgatitja për vazhdimin e periudhës së dytë të vitit shkollor, tregon edhe Jehona Oruqi, drejtoreshë e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë”.

Oruqi thotë për KosovaPress se procesi mësimor në shkollën që e udhëheq ka filluar pa ndonjë problem dhe se bankave shkollore i janë rikthyer të gjithë nxënësit.

Oruqi: Procesi mësimor ka filluar ashtu siç e kemi planifikuar

 

“Procesi i mësimor, periudha e dytë, ka filluar ashtu siç e kemi planifikuar. Gjatë tërë kohës së pushimit dimëror kemi bërë përgatitjet për rifillimin e këtij viti shkollor, duke vazhduar me periudhën e dytë. Shkolla është dezinfektuar në tërësi, përgatitjet programore janë bërë siç janë planifikuar në fillim të vitit dhe të gjithë nxënësit kanë filluar sot ditën e parë të periudhës së dytë. Po ashtu, edhe të gjithë mësimdhënësit ishin në shkollë dhe çdo gjë ka shkuar ashtu siç është planifikuar”, thotë ajo.

Sa i përket zbatimit të masave anti-COVID, drejtoresha e kësaj shkolle thotë se po i realizojnë edhe në bazë të skenarëve sipas të cilëve e organizojnë mësimin.

Ajo bënë të ditur se gjatë pushimit dimëror shkollat e Komunës së Prishtinës janë furnizuar me të gjitha pajisjet e nevojshme për tu mbrojtur nga koronavirusi.

Oruqi: Në shkollën tonë, procesi mësimor realizohet përmes dy skenarëve

 

“Në shkollën tonë, procesi mësimor realizohet përmes dy skenarëve. Në skenarin A është cikli i ulët, në skenarin B realizon mësimin cikli i lartë. Skenari B nënkupton që 15 nxënës të grupit A janë në shkollë dhe 15 nxënës të grupit B janë në shtëpi brenda ditës. Dhe, të nesërmen kjo ndërkohë. Që do të thotë gjatë ditës realizohen 6 orë mësimi me nga 30 minuta, për ciklin e lartë. Ndërsa për ciklin e ulët, mësimi realizohet sipas skenarit A, dhe gjatë ditës realizohen 3 orë mësimi me nga 30 minutë. Grupi A, pas në pauzë vjen grupi i dytë. Cikli i ulët punon në dy ndërrime”, thotë Oruqi.

Ndonëse filloi në kohën e paraparë, procesi mësimor krahas vështirësive të shkaktuara nga pandemia, po përballet edhe me mundësinë e ndërprerjes. Kjo pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po paralajmëron veprime sindikale në rast se nuk iu paguhen shtesat prej 100 euro punëtorëve të arsimit.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari u shpreh se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e qeverisë dhe ministrisë atëherë do të marrin veprime sindikale.

Teksa thotë se greva nuk përjashtohet, ai tregon për KosovPress se fillimisht mendojnë të fillojnë me greva një orëshe apo dy orëshe.

E në rast se këto greva nuk japin rezultate, Jashari thotë se do të hyjnë në grevën e përgjithshme, e cila nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Jashari: Po presim edhe këtë javë

 

“Këshilli drejtues para fillimit të gjysmëvjetorit të dytë ka mbajtur një takim dhe duke analizuar në tërësi situatën ka sjellë vendim që periudha e dytë megjithatë të fillojë, duke i lënë hapësirë edhe pak mundësi takimit me ministrin Hoti dhe ministrin Likaj, por e ka lënë si opsion edhe grevën, duke autorizuar kryesinë dhe kryetarin që në rast se kjo javë nuk jep rezultate, nuk ka takime, atëherë të mendohet edhe për vendime sindikale… Kryetarët e nivelit komunal janë duke shpërndarë formularë, ku anëtarësia jonë do të deklarohet se e përkrah vendimin e Këshillit drejtues… 1:26 Nëse kjo javë shkon pa rezultate, unë nga larg do të komunikojë me Këshillin Drejtues do t’iu raportoj çfarë është bërë e çfarë jo dhe pastaj edhe do të fillojmë me veprimet sindikale, për të cilat ata vendosin se çfarë do të jenë”, thotë ai.

Ai kërkon takim me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti dhe me ministrin e Arsimit, Ramë Likaj në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje për kërkesat e tyre.

Jashari: Hoti dhe Likaj të takohen me ne pasi nuk na kanë kthyer përgjigje

 

“Deri në këtë moment, edhe pse iu kemi dërguar letrat e reja, kërkesat e reja, kryeministrit Hoti dhe ministrit Likaj, ende nuk kemi përgjigje nga ata. Po them, hapi i parë për ta relaksuar situatën është të ulemi dhe të bisedojmë. Ne e kuptojmë situatën aktuale në Kosovë, e kuptojmë edhe buxhetin edhe jo fortë të mjaftueshëm të Republikës së Kosovës, por kur ulemi bisedojmë gjërat shkojnë më ndryshe. Më mirë dialogojmë këtë javë, se pastaj të hyjmë në grevë, sepse është praktikë e keqe e institucioneve që thotë populli ‘nuk na e lëshojnë derën’ kur fillon greva. Atëherë do të jetë vonë”, thotë Rrahmani.

Se gjysmëvjetori i dytë i ka gjetur të përgatitura institucionet shkollore, kanë deklaruar edhe Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Ditë më parë për KosovaPress drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës Shpresa Shala, në një përgjigje me shkrim ka thënë se shkollat e kryeqytetit janë dezinfektuar dhe janë pajisur me mjete mbrojtëse nga COVID-19.

“DKA i ka bërë të gjitha përgatitjet në institucionet edukativo-arsimor, duke bërë pastrimin gjeneral, furnizimin e të gjitha shkollave me dezinfektues, dezinfektimin e objekteve shkollore dhe furnizimin me material higjenik rezerve”, ka thënë ajo në një përgjigje me shkrim.

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me mbarëvajtjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2020/2021.

Por si duket mësimi ka filluar në kohë dhe pa probleme në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës pasi në SBASHK deklarojnë se në të kundërtën do të njoftoheshin nga drejtorët e shkollave përkatëse.

Kategoritë
LajmeVendi