“Lufta Rusi-Ukrainë ka vazhduar pavarësisht negociatave prej muajsh, sepse asnjëra palë nuk është ende gati për të bërë marrëveshje paqeje”, tha JD Vance
Lufta Rusi-Ukrainë ka vazhduar pavarësisht negociatave prej muajsh, sepse asnjëra palë nuk është ende gati për të bërë marrëveshje paqeje, tha zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance në një intervistë të enjten për rrjetin konservator të lajmeve “Newsmax”, transmeton Anadolu.
“Edhe pse diplomacia energjike nga presidenti i SHBA-së mund t’i çojë njerëzit në vijën prej një metri, përfundimisht duhet të kesh dy palë që janë të gatshme të arrijnë marrëveshje”, tha Vance.
“Pavarësisht gjithë punës sonë, ne do të vazhdojmë të punojmë për të. Rusët dhe ukrainasit thjesht nuk janë në pikën ku mund të arrijnë një marrëveshje” tha JD Vance duke shtuar se një zgjidhje mbetet e mundur, por do të kërkojë “shumë punë”.
Ai vuri në dukje atë që ai e quajti “mospërputhje të pritjeve”, duke thënë se “rusët kanë tendencë të mendojnë se po bëjnë më mirë në fushën e betejës sesa janë në të vërtetë”, gjë që ai tha se i ka bërë negociatat më të vështira në muajt e fundit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e përshkroi së fundmi procesin e paqes si duke hyrë në një “fazë dramatike”, duke përmendur tensionet në rritje dhe duke shprehur “shqetësim ekstrem” për transferimin e mundshëm të raketave “Tomahawk” nga Washingtoni në Kiev.
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se Moska ra dakord në parim me një koncept të diskutuar me SHBA-në në Samitin e mbajtur në Alaskë në gusht midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin dhe se është duke pritur përgjigje nga Washingtoni.
Ai paralajmëroi se dërgimi i raketave “Tomahawk” në Ukrainë “mund të çojë në një përshkallëzim serioz” ndërsa kërkoi një fokus të ripërtërirë në bisedimet që adresojnë zgjerimin e NATO-s dhe statusin e territoreve të kontestuara.