Zelenskyy: Nuk do të bëjmë lëshime për çështjen territoriale

“Armëpushimi është ende i mundur dhe vendi im është gati ta mbështesë atë. Armëpushimi duhet të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm. Ne nuk do të bëjmë lëshime territoriale”, tha Zelenskyy

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se vendi i tij është gati të mbështesë një armëpushim, por nuk do të bëjë lëshime për çështjen territoriale, transmeton Anadolu.

Zelenskyy, i cili ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian (BE), përpara samitit bëri deklarata për shtyp me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Duke vënë në dukje se kanë mirëpritur paketën e 19-të të sanksioneve të BE-së të miratuar kundër Rusisë, Zelenskyy tha se kjo është me rëndësi të madhe sepse sipas tij Rusia nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës.

Zelenskyy vuri theksin mbi nevojën për të rritur presionin mbi Rusinë dhe për këtë arsye falënderoi BE-në për mbështetjen.

“Armëpushimi është ende i mundur dhe vendi im është gati ta mbështesë atë. Armëpushimi duhet të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm. Ne nuk do të bëjmë lëshime territoriale”, tha Zelenskyy.

Lidhur me çështjen e sigurimit të raketave me rreze të gjatë veprimi nga SHBA-ja si “Tomahawk”, Zelenskyy deklaroi se ky do të ishte vendimi i Amerikës.

Zelenskyy theksoi rëndësinë e sanksioneve energjetike të SHBA-së kundër Rusisë, dhe deklaroi se beson që ashtu si këto sanksione, edhe dërgesat e raketave “Tomahawk” në të ardhmen, do të jenë të mundura.

– “Ne do të marrim një vendim politik për të ofruar mbështetje financiare për Ukrainën”

Ndërsa Presidenti i Këshillit Evropian, Costa, shprehu kënaqësinë e tij që Zelenskyy është midis tyre si një “udhëheqës i ardhshëm i shtetit anëtar të BE-së”.

Costa vuri në dukje se iniciativa e armëpushimit e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ngriti shpresa të mëdha në Ukrainë, por nuk u mirëprit nga Rusia dhe theksoi se Moska ka përshkallëzuar sulmet e saj.

“Sot, ne do të marrim një vendim politik për të siguruar që Ukraina të përmbushë nevojat e saj financiare në vitin 2026 dhe 2027”, informoi ai duke deklaruar se kjo do t’i dërgojë një mesazh shumë të fortë Rusisë.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ne nuk jemi dorëzuar. Mbështetja jonë diplomatike, politike, ushtarake dhe financiare do të vazhdojë” shtoi Costa.

Kategoritë
BotaLajme