Presidenti ukrainas, Zelenskyy thotë se qëndrimi i Kievit për mostërheqje nga Donbasi nuk ka ndryshuar
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se po përgatisin një kontratë me SHBA-në për furnizimin e Ukrainës me 25 sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”, transmeton Anadolu.
Në deklaratat për gazetarët të publikuara nga mediat ukrainase, përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve Ukrinform, Zelenskyy tha se Kievi ka zhvilluar kontakte me kompanitë e mbrojtjes në lidhje me mbrojtjen ajrore në koordinim me autoritetet përkatëse amerikane.
“Ne po përgatisim një kontratë për 25 sisteme ‘Patriot’. Besoj se kjo është një histori shumë e mirë, jo e lehtë, por afatgjate”, tha Zelenskyy duke shtuar se kërkesa u bë nga Forcat Ajrore të Ukrainës.
Zelenskyy theksoi se ka një radhë në prodhimin e sistemeve ‘Patriot’ që përfshin vendet që kanë lidhur kontratat përkatëse me prodhuesin, për shkak të së cilës Kievi do t’i marrë këto sisteme çdo vit në numër të ndryshëm.
“Shtëpia e Bardhë mund ta ndryshojë radhën nëse ka vullnet politik. Ne e kuptojmë se cilat vende evropiane mund të na japin përparësi në radhë. Ka më shumë pozitivitet për këtë çështje. Ne po punojmë tani për të marrë zgjidhjet e nevojshme”, tha presidenti ukrainas.