Zelensky përshëndet sanksionet e reja ndaj Rusisë: “Kjo është shumë e rëndësishme, paqja në Ukrainë ende është e mundur”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përshëndetur sanksionet e reja energjetike të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kundër Rusisë, duke i cilësuar ato si “shumë të rëndësishme”.

Zelensky theksoi se do të nevojitet presion edhe më i madh ndaj Moskës për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm në luftë.
Kujtojmë se vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar zyrtarisht pakon e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, që përfshin ndalimin e importit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara shpallën të mërkurën sanksione të reja kundër kompanive kryesore ruse të naftës, vetëm një ditë pasi dështuan planet për mbajtjen e një samiti midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

“Kjo është shumë e rëndësishme,” deklaroi Zelensky, duke shtuar se beson se armëpushimi në Ukrainë ende është i mundur.

Ai gjithashtu falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për vendimin, të cilin e përshkroi si “të vendosur dhe të drejtuar saktë”, që tregon se “agresioni nuk do të mbetet pa përgjigje”.

“Sanksionet e reja amerikane ndaj gjigantëve rusë të naftës janë një sinjal i qartë se zgjatja e luftës dhe përhapja e terrorit kanë koston e tyre. Kjo është një masë e drejtë dhe plotësisht e merituar. Vetëm presioni i vazhdueshëm ndaj Rusisë mund të sjellë paqen — dhe sanksionet janë një nga përbërësit e saj kryesorë,” shkroi Zelensky në reagimin e tij.

Kategoritë
BotaLajme