Zyrtarët amerikanë diskutuan mbi përgatitjet për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit, e cila përfshin vendosjen e forcave ndërkombëtare në Gaza dhe çarmatimin e Hamasit
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump diskutuan për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit me zyrtarë ushtarakë izraelitë, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës “Yedioth Ahronoth”, Witkoff dhe Kushner gjatë vizitës së tyre në Izrael u takuan me Shlomi Binder, drejtorin e Inteligjencës Ushtarake dhe Eyal Harel, shefin e Drejtorisë së Planifikimit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.
Sipas lajmit, zyrtarët amerikanë diskutuan mbi përgatitjet për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit, e cila përfshin vendosjen e forcave ndërkombëtare në Rripin e Gazës dhe çarmatimin e Hamasit.
Megjithatë, zyrtarët izraelitë shprehën shqetësim për tunelet që ende ekzistojnë në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës dhe kërkuan që forcat ndërkombëtare t’i eliminojnë ato.
Witkoff dhe Kushner në lidhje me incidentin në Rafah ku u vranë dy ushtarë izraelitë, përcollën mesazhin e ndërmjetësve Katarit, Turqisë dhe Egjiptit se “sulmi nuk u drejtua ose u koordinua nga Hamasi”.
Pala izraelite shprehu dëshirën për të “përshpejtuar nxjerrjen e trupave të pengjeve izraelite dhe që Hamasi të përmbushë detyrimet e tij dhe të kthejë trupat”.
Më tej theksohet se rindërtimi i Rripit të Gazës varet nga kthimi i të gjitha trupave dhe çarmatimin e Hamasit.
Faza e dytë e planit të presidentit amerikan Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës përfshin vendosjen e një force paqeruajtëse ndërkombëtare, tërheqjen e ushtrisë izraelite dhe çarmatimin e Hamasit.
Më 19 tetor, në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës u vranë dy ushtarë izraelitë.
Pas kësaj, Izraeli kreu sulme ajrore në zona të ndryshme, duke pretenduar se Hamasi kishte shënjestruar elementë të ushtrisë izraelite.
Brigadat Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, njoftuan se janë të përkushtuar ndaj armëpushimit dhe se nuk janë përfshirë në ngjarjet në Rafah.