Venezuela do të rrisë nivelin e sigurisë në maksimum në 4 shtete të tjera

Maduro tha se urdhri vlen për shtetet Merida, Trujillo, Lara dhe Yaracuy për të siguruar “mbrojtjen integrale” të vendit mes aktivitetit ushtarak të SHBA-së në Detin e Karaibeve

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka urdhëruar që masat e sigurisë të rriten në nivelin maksimal në katër shtete perëndimore në kuadër të stërvitjes “Operacioni Pavarësia 200”, transmeton Anadolu.

Maduro tha se urdhri vlen për shtetet Merida, Trujillo, Lara dhe Yaracuy për të siguruar “mbrojtjen integrale” të vendit mes aktivitetit ushtarak të SHBA-së në Detin e Karaibeve.

“Ne po përfundojmë të gjitha përgatitjet për të arritur gjendjen optimale për mbrojtjen integrale të atdheut tonë. Në unitet të përsosur të popullit tonë dhe të të gjithë sektorëve, ne po punojmë për të siguruar paqen dhe për të mbrojtur sovranitetin tonë”, tha Maduro.

Mediat venezueliane thanë se autoritetet theksojnë se mbrojtja kombëtare nuk kufizohet vetëm në forcat zyrtare, por përfshin edhe qytetarët. Qeveria tha se 6.2 milionë njerëz janë të regjistruar nën Forcën e Milicisë Bolivariane, e cila do të marrë pjesë në sistemin e mbrojtjes.

Ministri i Punëve të Brendshme, Drejtësisë dhe Paqes, Diosdado Cabello, tha se 11 shtete tashmë operojnë nën nivele maksimale të sigurisë dhe masa së shpejti do të përfshijë kryeqytetin Karakas dhe shtetin Miranda.

Në fillim të kësaj jave, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi se autorizoi Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të kryejë operacione në Venezuelë sipas një direktive kundër narkotikëve.

Washingtoni ka vendosur forca detare pranë Venezuelës, duke përmendur operacione kundër karteleve të drogës, ndërsa Karakasi akuzon SHBA-në se kërkon ndryshim regjimi nën maskën e përpjekjeve “kundër narkotikëve”.

Kategoritë
BotaLajme