“Javët e fundit kanë sjellë humbje të papranueshme jetësh dhe ndërprerje të konsiderueshme në ekonominë globale dhe tregjet financiare”, thuhet në një deklaratë të ministrave të financave të 11 vendeve.
Një grup vendesh evropiane dhe të rajonit të Azi-Paqësorit paralajmëruan për “rreziqe serioze shtesë” ndaj sigurisë globale të energjisë nga rifillimi i armiqësive dhe ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e financave të 11 vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Japoninë, Suedinë, Holandën, Finlandën, Spanjën, Norvegjinë, Irlandën, Poloninë dhe Zelandën e Re, mirëpritën armëpushimin midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke bërë thirrje për zbatimin e plotë të tij.
“Javët e fundit kanë sjellë humbje të papranueshme jetësh dhe ndërprerje të konsiderueshme në ekonominë globale dhe tregjet financiare”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se armëpushimi do të jetë “thelbësor” për mbrojtjen e popullsisë civile dhe sigurinë rajonale.
Ata kërkuan një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme të negociuar të konfliktit, si dhe rikthimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Rifillimi i armiqësive, zgjerimi i konfliktit ose vazhdimi i ndërprerjes në Ngushticën e Hormuzit do të paraqisnin rreziqe serioze shtesë për sigurinë globale të energjisë, zinxhirët e furnizimit dhe stabilitetin ekonomik e financiar”, paralajmëron deklarata.
Deklarata theksoi më tej se edhe me një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit, ndikimet në rritjen ekonomike, inflacionin dhe tregjet “do të vazhdojnë”.
Lufta e përbashkët SHBA-Izrael kundër Iranit ka lënë rreth 3.300 persona të vdekur dhe qindra mijëra të zhvendosur në Iran, ndërsa 13 ushtarakë amerikanë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur gjatë luftës 39-ditore që nga 28 shkurti.
SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit, gjatë fundjavës, por negociatat përfunduan pa marrëveshje. Bisedimet pasuan një armëpushim dyjavor të shpallur më herët javën e kaluar.
Presidenti amerikan Donald Trump më pas njoftoi një bllokadë detare të Ngushticës së Hormuzit, e cila hyri në fuqi të hënën.









