Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht këtë mëngjes për qarkullim Urën e Mbretit Fahd, e cila lidh vendin me Bahreinin, si masë paraprake për shkak të mundësisë së sulmeve.
Vendimi për mbylljen erdhi në një moment të rritjes së tensioneve në rajon.
Shërbimet e sigurisë vlerësojnë se infrastruktura në atë zonë mund të jetë objektiv në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm.
Ura, e gjatë rreth 25 kilometra, përbën të vetmen lidhje tokësore midis Arabisë Saudite dhe Bahreinit dhe ka rëndësi të madhe për qarkullimin e përditshëm të njerëzve dhe mallrave.
Mbyllja e urës erdhi pas përshkallëzimit të tensioneve, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me sulme ndaj infrastrukturës iraniane, ndërsa Irani paralajmëroi për një kundërpërgjigje “shkatërruese” nëse objektet e tij civile goditen.
Kujtojmë se Trump gjatë fundjavës i dha ultimatum Iranit për të hapur Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se në të kundërt do të bombardojë infrastrukturën publike të Iranit.
Trump deklaroi se Irani ka afat deri të martën në orën 20:00 sipas kohës lindore amerikane (ET) për të arritur një marrëveshje.










