“Veç 2 orë n’ditë me pasë ujë, mjafton”, mbi 300 shtëpi në Prizren jetojnë me bidonë

Madje, edhe rrobat e palara i dërgon te familja e gruas për t’i larë.

Ujë të pijshëm e të përdorshëm në shtëpi nuk kanë.

Familja Kollani, me prejardhje nga Opoja, jeton tash e 18 vjet në lagjen “UÇK” të Prizrenit.

Në fshatin e tyre nuk iu kishte munguar uji, por këtu mezi ia dalin të përmbushin nevojat më elementare.

Në oborrin e shtëpive, që janë pranë njëra-tjetrës, shihen vetëm bidonë e rezervuare me ujë.

Nga këto, banorët mundohen të furnizohen.

Por uji i puseve, që duket i zi e i mbushur me llum, është i papërdorshëm.

Si pasojë, banjot iu janë shkatërruar e rubinetat iu janë ndryshkur.

Prandaj, shpesh bëjnë renovime në shtëpi

E zonja e shtëpisë, Fahrije Kollani, thotë se mezi arrin ta mbajë higjienën.

Madje, sipas saj turp ka edhe kur u vijnë mysafirë.

Ajo, shpesh herë detyrohet të trokasë te fqinjët për ujë.

Përveç shpenzimeve të tjera familjare, tash e sa vite duhet të ndajnë para edhe për sigurimin e ujit.

Mbi 120 euro thotë se shpenzojnë çdo muaj për mbushjen e cistermave, me të cilin përgatisin ushqim e lajnë rrobat.

Ndërsa për ujë të pijshëm, shkojnë edhe më shumë para.

Dimri ua bën situatën edhe më të vështirë.

Rreth 300 shtëpive të kësaj lagjeje u është bërë instalimi i ujësjellësit para tre vjetësh.

Por edhe pse gypat janë, ujë s’ka.

Më shumë se mungesa e ujit, ata thonë se i ka lodhur premtimet e parealizuara të komunës dhe ndërmarrjes së ujësjellësit.

Në secilën qeverisje lokale kërkesa e tyre ka qenë e njëjtë, uji.

Sipas tyre, institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës, por asnjëra nuk ofron zgjidhje./klankosova.tv

Kategoritë
LajmeVendi