Vdes një i burgosur palestinez në burgun izraelit për shkak të përkeqësimit të shëndetit

I paraburgosuri i identifikuar si Ahmed Khdeirat, 22-vjeç, është nga Bregu Perëndimor

Një i paraburgosur palestinez në burgun Ramon në jug të Izraelit ndërroi jetë për shkak të përkeqësimit të shëndetit, thanë grupet për çështjet e të burgosurve, transmeton Anadolu.

Duke cituar Autoritetin Palestinez të Çështjeve Civile, i cili bashkëpunon me autoritetet izraelite, Komisionin e Çështjeve të të Paraburgosurve dhe Shoqatën e të Burgosurve Palestinezë në një deklaratë të përbashkët, e identifikuan të paraburgosurin si Ahmed Khdeirat, 22-vjeç.

Deklarata tha se Khdeirat, nga Ad-Dhahiriya në Khalil të Bregut Perëndimor ndërroi jetë në Qendrën Mjekësore Soroka të Izraelit. Në gusht, Shoqata e të Burgosurve Palestinezë paralajmëroi për një “përkeqësim serioz” të shëndetit të Khdeiratit. Ai mbahej në paraburgim administrativ që nga maji i vitit 2024.

Grupi ka thënë më parë se “Khdeirat, i paraburgosur në burgun Negev të Izraelit, po përballet me një përkeqësim të rëndë të shëndetit të tij për shkak të diabetit kronik dhe një sëmundjeje të lëkurës”, duke shtuar se pesha e tij kishte rënë në 40 kilogramë.

Paraburgimi administrativ është një urdhër ushtarak izraelit që lejon burgosjen pa akuzë ose gjyq për periudha të rinovueshme deri në gjashtë muaj, bazuar në arsye të supozuara sigurie.

Shërbimi i inteligjencës izraelite i paraqet gjykatës një të ashtuquajtur “dosje sekrete” që as i paraburgosuri dhe as avokati i tij nuk lejohen ta shohin.

Rasti i 22-vjeçarit Khdeirat është një nga mijëra të burgosur palestinezë të sëmurë në burgjet izraelite, ku autoritetet akuzohen për vendosjen e qëllimshme të politikave dhe masave që synojnë vrasjen e të burgosurve.

Kategoritë
BotaLajme