Ushtria serbe dhe ajo hungareze në stërvitje të përbashkët ushtarake: Po stërviten për sulme dhe kontroll territori

Në poligonin ushtarak “Pasuljanske livade” në Serbi, dje ka filluar stërvitja e përbashkët taktike me emrin “Fqinjët 25”, ku marrin pjesë pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe Forcave të Armatosura të Hungarisë.

Stërvitja, e cila do të zgjasë deri më 7 tetor, është konceptuar me qëllim forcimin e ndërveprueshmërisë dhe aftësive për planifikim dhe realizim të operacioneve të forcave shumëkombëshe.

Gjatë disa ditëve në terren, ushtarët do të ushtrojnë koordinimin, shkëmbimin e përvojave dhe veprimet e përbashkëta në situata komplekse, me theks në ndërtimin e besimit të ndërsjellë.

Në stërvitje marrin pjesë pjesëtarët e Brigadës së Parë të Ushtrisë Tokësore të Serbisë dhe Brigadës së 30-të të këmbësorisë së mekanizuar të ushtrisë hungareze, të cilët në nivel taktik do të realizojnë skenarë të ndryshëm luftarakë.

Sipas paralajmërimeve, aktivitetet e planifikuara përfshijnë marshimin dhe kalimin në sulm, kontrollin e territorit, kontrollin e terrenit, evakuimin mjekësor, si dhe përdorimin e mjeteve bashkëkohore luftarake dhe sistemeve zbulimore për mbledhjen e të dhënave.

Kjo është stërvitja e dhjetë me radhë nën emrin “Fqinjët”, që sipas organizatorëve është dëshmi e vazhdimësisë së bashkëpunimit ushtarak mes dy shteteve. Përveç përmirësimit të marrëdhënieve bilaterale, stërvitja shihet edhe si mundësi që Ushtria e Serbisë të rrisë më tej kapacitetet e saj për pjesëmarrje në stërvitje ndërkombëtare dhe misione paqeruajtëse.

Kategoritë
LajmeRajoni