Ushtria izraelite shemb shtëpi dhe arreston 24 palestinezë në Bregun Perëndimor

Drejtori i Komisioni i Autoritetit Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit është midis të arrestuarve

Forcat izraelite të sigurisë arrestuan 24 palestinezë, përfshirë një fëmijë dhe një zyrtar, në Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas dëshmitarëve dhe autoriteteve lokale, raporton Anadolu.

Dëshmitarët thanë për Anadolu se ushtria izraelite arrestoi nëntë persona në Tulkarem, dy në Nablus, tre në Qalqilya dhe pesë të tjerë në Jenin. Dy palestinezë të tjerë u arrestuan në qytetin e Betlehemit dhe dy të tjerë, përfshirë një fëmijë, në Hebron (El-Halil).

Ndërkohë, Komisioni i Autoritetit Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit njoftoi se drejtori i tij, Murad Ashtiwi, gjithashtu u mor në paraburgim nga Izraeli, por u lirua pas një hetimi të shkurtër.

Forcat izraelite gjithashtu shkatërruan shtëpinë e një palestinezi në Ramallah, pjesën qendrore të Bregut Perëndimor, duke cituar mungesën e lejes së ndërtimit, tha për Anadolu kryetari i këshillit të fshatit Al-Mughayir, Amin Abu Alia. Ai shtoi se 70 shtëpi të tjera rrezikojnë të shkatërrohen nga urdhra të lëshuar nga Izraeli.

Izraeli përdor gjerësisht mungesën e lejeve të ndërtimit si pretekst për të shkatërruar shtëpitë palestineze, veçanërisht në Zonën C të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Sipas Marrëveshjeve të Oslos të vitit 1995 midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, u nda në tri zona – A, B dhe C.

Zona C është nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë së Izraelit deri në arritjen e një marrëveshjeje për statusin përfundimtar me palestinezët.

– Sulme dhe plagosje

Ushtria izraelite plagosi të paktën 10 palestinezë në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të mërkurën në mbrëmje, sipas mjekëve dhe burimeve lokale. Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS) tha se një person u plagos nga armët e zjarrit të drejtpërdrejtë në Qalandiya, në veriperëndim të Kudsit Lindor, ndërsa një tjetër u plagos në qytetin Al-Ram.

Agjencia shtetërore e lajmeve Wafa raportoi se forcat izraelite përdorën gaz lotsjellës pranë murit ndarës në Qalandiya, duke shkaktuar probleme në frymëmarrje për shumë banorë. PRCS-ja raportoi se katër persona u plagosën nga armët e zjarrit gjatë një bastisjeje në qytetin e Nablusit, përfshirë një 15-vjeçar të plagosur nga shrapneli.

Sipas Wafa-s, numri i civilëve të plagosur në Nablus arriti në tetë, përfshirë tre fëmijë. Ushtria përdori granata zanore dhe kapsolla gazi lotsjellës ndaj civilëve në qendër të qytetit. Një i ri u arrestua dhe mjeti i tij u konfiskua nga ushtria para se ata të tërhiqeshin nga qyteti, sipas agjencisë.

Dëshmitarët thanë për Anadolu se bastisjet izraelite kishin për qëllim disa ndërtesa publike, përfshirë selinë e Departamentit të Zjarrfikësve të Nablusit, ku disa palestinezë u arrestuan dhe iu nënshtruan hetimeve në terren.

Aktivistët postuan në rrjetet sociale fotografi të ndërtesave të dëmtuara.

Autoritetet lokale njoftojnë se më shumë se një mijë palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, rreth 10.300 janë plagosur dhe mbi 20 mijë janë arrestuar, përfshirë 1.600 fëmijë.

Në një opinion të rëndësishëm korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli okupimin izraelit të territoreve palestineze të paligjshëm dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Kategoritë
BotaLajme