Ushtria izraelite (IDF) ka publikuar pamje të reja video që tregojnë tërheqjen e trupave nga Rripi i Gazës dhe ka njoftuar se armëpushimi ka hyrë në fuqi në orën 12:00.
Sipas komunikatës zyrtare, që nga mesdita, njësitë e IDF-së kanë filluar të pozicionohen përgjatë linjave të reja të dislokimit, në përgatitje për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimin e pengjeve.
“Trupat e Komandës Jugore janë të vendosura në zonë dhe do të vazhdojnë të eliminojnë çdo kërcënim të menjëhershëm,” thuhet në njoftim.
Në mesin e videove të publikuara është edhe një regjistrim nga Brigada 188.
Sipas marrëveshjes së arritur në Egjipt, ushtria izraelite do të dislokohet në 53 për qind të territorit të Gazës, pas së cilës pritet fillimi i procesit të lirimit të pengjeve — me miratimin e Hamasit.
Brenda 72 orëve — deri të hënën në mesditë — Hamasi pritet të lirojë 48 pengje, duke filluar me 20 prej tyre për të cilët besohet se janë gjallë.
Ndërmjetësit kanë njoftuar më herët se Hamasi ka pranuar se nuk ka informacion për vendndodhjen e trupave të disa pengjeve të vrarë, gjë që mund të shtyjë lirimin e trupave të tyre.
Pamjet nga Gaza tregojnë zona të tëra të shkatërruara, ndërtesa të rrënuara dhe qytete të boshatisura — dëshmi e pasojave të më shumë se një viti bombardimesh intensive që lanë pas vetes një peizazh të ngjashëm me shkretëtirë.