



Ushtria izraelite (IDF) njoftoi se ka marrë raporte që tregojnë se një sinagogë aty pranë është goditur.
“IDF shpreh keqardhje për dëmin kolateral të shkaktuar ndaj sinagogës dhe thekson se sulmi ishte i drejtuar ndaj një objektivi të lartë ushtarak brenda forcave të armatosura të regjimit, dhe jo ndaj ndonjë vendi fetar”, thuhet në deklaratën e ushtrisë për CNN.
Ushtria shtoi se objektivi ishte një komandant i lartë në shtabin emergjent Khatam al-Anbiya, i përdorur nga forcat e armatosura iraniane. IDF deklaroi se para sulmit kishte marrë masa për të minimizuar dëmet ndaj civilëve.
Ushtria izraelite i ka dhënë këto deklarata në kuadër të komunikimit publik, pa mundësi verifikimi të pavarur, ndërkohë që qindra e mijëra civilë po humbin jetën.
Dëmtimi i sinagogës ndodhi pak para përfundimit të Pashkës hebraike (Pesah), një festë që përkujton daljen e izraelitëve nga robëria egjiptiane në shekullin XII para erës sonë.
Më herët gjatë ditës së martë, CNN ka lokalizuar fotografi dhe video të publikuara nga mediat iraniane, të cilat tregojnë dëme të mëdha në sinagogën Rafi Niya, me libra të shenjtë hebraikë të shpërndarë mes rrënojave. Sipas Agjencisë Studentore të Lajmeve të Iranit (ISNA), kjo sinagogë është “një nga qendrat fetare të hebrenjve të Teheranit që daton nga periudha e Pahlavi II” dhe është “shkatërruar plotësisht në një sulm ajror”.
Homayoun Sameyah Najafabadi, përfaqësuesi i vetëm hebre në parlamentin iranian, e dënoi sulmin në një video të publikuar nga media shtetërore IRIB News.
“Regjimi sionist nuk tregoi mëshirë ndaj kësaj komuniteti gjatë festave hebraike dhe sulmoi një nga sinagogat tona të lashta dhe të shenjta. Fatkeqësisht, gjatë këtij sulmi ndërtesa e sinagogës u shkatërrua plotësisht dhe rrotullat e Torës mbetën nën rrënoja”, deklaroi Najafabadi.