Ushtria izraelite fillon tërheqjen graduale në lindje të Rripit të Gazës

“Gjatë 24 orëve të ardhshme, ushtria izraelite do të përfundojë tërheqjen nga zona të caktuara brenda Rripit të Gazës deri në vijën e verdhë, siç është rënë dakord në planin e Trumpit midis Izraelit dhe Hamasit”, tha transmetuesi izraelit

Ushtria izraelite ka filluar tërheqjen graduale të trupave nga Rripi i Gazës dhe do të përfundojë tërheqjen e saj drejt vendeve të përcaktuara në planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës brenda 24 orëve, transmeton Anadolu.

“Gjatë 24 orëve të ardhshme, ushtria izraelite do të përfundojë tërheqjen e saj nga zona të caktuara brenda Rripit të Gazës deri në vijën e verdhë, siç është rënë dakord në planin e Trumpit midis Izraelit dhe Hamasit”, tha transmetuesi izraelit Channel 12.

Sipas transmetuesit izraelit, “forcat pritet të tërhiqen në lindje nga qytetet Rafah dhe Khan Younis dhe nga zonat në veri të Rripit të Gazës dhe t’i afrohen kufirit me Shtetin e Izraelit”.

Dje në mëngjes, Trump njoftoi se Izraeli dhe grupi palestinez Hamas ka arritur një marrëveshje mbi fazën e parë të planit të tij të armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve.

Marrëveshja erdhi pas katër ditësh negociatash indirekte midis dy palëve në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Turqia, Egjipti dhe Katari, nën mbikëqyrjen e SHBA-së.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e kanë kthyer atë praktikisht në të pabanueshme.

Kategoritë
BotaLajme