Për shkak të mosmiratimit të buxhetit në Kongresin amerikan, pjesëtarëve të ushtrisë amerikane nuk u janë paguar pagat, por sipas Ligjit për luftën kundër deficitit ata duhet të vazhdojnë me aktivitetet e tyre të përditshme të punës.
Nëpunësit civilë që nuk kryejnë funksione kyçe janë dërguar në pushim të detyrueshëm pa pagesë. Ata që merren me sigurinë apo mbrojtjen vazhdojnë punën, por gjithashtu pa pagë.
Korpusi i Marinës së Ushtrisë Amerikane publikoi në llogarinë e vet në X pezullimin e pagesës së rrogave, duke theksuar “se personeli ushtarak do të vazhdojë detyrën në status të rregullt pa pagesë derisa Kongresi të miratojë rezolutën për vazhdimin e punës.”
Pas përfundimit të pezullimit të punës, të gjithë të punësuarit do t’i marrin rrogat e prapambetura, pasi kjo është e garantuar me një ligj të veçantë të miratuar në vitin 2019. Po ashtu, Pentagoni ka plane të posaçme për situata të paparashikuara të tilla. Këto plane mundësojnë vazhdimin e operacioneve kritike të lidhura me mbrojtjen kombëtare.
Historikisht, që nga viti 1977, Kongresi i SHBA ka miratuar rezoluta për financim të përkohshëm në çdo vit fiskal përveç tre rasteve.
Ndërprerja aktuale e financimit ndikon jo vetëm në sektorin e mbrojtjes, por edhe në agjencitë e tjera federale pa buxhet të miratuar. Kjo paraqet rrezik për zbatimin e programeve të lidhura me sigurinë kombëtare, blerjen e pajisjeve dhe armëve, por edhe për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.