

Duke folur në një mbledhje të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) në qytetin e tij të lindjes Rize, Erdoğan e quajti marrëveshjen “një hap të hidhur, por të ëmbël drejt paqes”, duke shprehur shpresën se do të sjellë stabilitet të qëndrueshëm në territoret palestineze.
“Ne e mbështesim çdo iniciativë që ndalon përfundimisht masakrën dhe gjenocidin që po ndodh në Gaza prej dy vitesh. Izraeli duhet të respektojë marrëveshjen e nënshkruar dhe të ndalojë politikat agresive që kërcënojnë sigurinë e të gjithë rajonit,” tha Erdoğan.
Ai e përshkroi armëpushimin si “moment lehtësimi për popullin e Gazës pas muajsh shkatërrimi” dhe theksoi se Turqia ka pritshmëri të mëdha që marrëveshja e re të sjellë paqe, qetësi dhe siguri në gjithë territoret palestineze.
Gjatë fjalimit, salla shpërtheu në thirrje “Rroftë Palestina!”, dhe Erdoğan u përgjigj:
“Së pari do të shkoj unë në Gaza, pastaj ju!”
Kjo deklaratë ngjalli emocione të forta dhe duartrokitje të gjata nga të pranishmit.
Lideri turk përsëriti gjithashtu se Izraeli duhet të respektojë kushtet e armëpushimit dhe ndalojë çdo veprim që rrezikon sigurinë rajonale, duke lavdëruar Hamasin për “qëndrim të matur dhe politikisht të përgjegjshëm” gjatë arritjes së marrëveshjes.
“Buzëqeshjet, ndonëse të hidhura, janë rikthyer në Gaza pas tmerreve të gjenocidit. Përshëndes Palestinën dhe palestinezët në emrin tim,” shtoi Erdoğan.
Ankaraja ka konfirmuar se Turqia do të marrë pjesë në grupin ndërkombëtar të monitorimit që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe do të ofrojë ndihmë teknike për stabilizimin e situatës në Gaza.