Ua drejton armën policëve në kufi me Shqipërinë, lë pas vetes çantën me 21 kg marihuanë

21 kilogramë marihuanë kanë gjetur policët brenda një çante që është hedhur nga një i dyshuar i cili ka ikur. I dyshuari është hasur i armatosur dhe me çantën në krah në vijën kufitare Kosovë-Shqipëri.

Policia njoftoi se i dyshuari ua ka drejtuar armën zyrtarëve dhe më pas e ka hedhur çantën e ka ikur në zonën malore në drejtim të Shqipërisë.

“Policia e Kosovës, respektivisht njësia hetimore nga Departamenti i Kufirit me datën 20.08.2025, rreth orës 20:30 gjatë veprimeve hetimore në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri përgjatë vijës së gjelbër, ka hasur në një person të dyshuar i cili ishte duke e bartur një çantë dhe ishte i armatosur.

I njëjti në momentin që ka vërejtur zyrtarët policorë ka drejtuar armën e zjarrit në drejtim të zyrtarëve policorë, duke paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë ndaj tyre. Zyrtarët policorë kanë tentuar që ta ndalojnë të dyshuarin duke u prezantuar, mirëpo i njëjti ka hedhur çantën dhe ka arritur që të dalë në zonën malore në drejtim të Shqipërisë”, njoftoi Policia e Kosovës.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme