Ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e plagëve në trupin e 65-vjeçarit Gjergj Tusha, i cili u gjet i pajetë pasditen e djeshme, në afërsi të lumit Mat në Pllane të Lezhës në Shqipëri.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e 65-vjeçarit nuk janë konstatuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri apo mjete prerëse.
“Nga veprimet e para hetimore të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në fshatin Pllanë, Njësia Administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, ku shtetasi Gj. T. ka qenë duke kullotur bagëtitë.
Grupi i posaçëm hetimor ka kryer një sërë veprimesh hetimore e procedurale, si këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e kufomës, këqyrjen e pamjeve filmike, marrjen e deklarimeve, vendimet e ekspertimit, etj.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme, dhe veçanërisht nga këqyrja e kufomës, ka rezultuar se dëmtimet e konstatuara në trupin e shtetasit Gj. T. nuk janë shkaktuar nga armë zjarri apo mjete prerëse”, thuhet në njoftimin e policisë.
U kryen veprimet e para hetimore dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje, e dyshuar aksidentale, raporton A2CNN.