Thellohet akoma më shumë skandali i basteve në futbollin turk, teksa ka arritur deri në nivelet më të larta si presidentë e drejtues klubesh Por ajo që ka më shumë rëndësi është se në hetimet rreth këtij skandali janë përfshurë edhe komentatorë dhe avokatë sportivë që dyshohet se janë të përfshirë në një rrjet të organizuar të basteve.
Gjykatësi turk i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, Emin Özkurt tha për të përditshmen spanjolle AS se këto hetime janë shumë më të thella nga sa mund të imagjinohet. Ekziston një rrjet shumë i gjerë dhe i organizuar të basteve ku janë të përfshirë jo vetëm arbitra, por edhe drejtues klubesh, futbollistë, komentatorë televizivë, specialistë të së drejtës sportve.
Javën e ardhshme pritet të bëhen denoncimet në Komisionin e Disiplinës në Federatën turke të Futbollit, ndërkohë që sipas një komunikate të kësaj të fundit, janë sanksionuar tashmë 152 arbitra, 7 nga të cilët gjyqtarë kryesorë dhe 15 asistentë të një niveli të lartë.
Mes arbitrave të denoncuar janë edhe Zorbay Küçük, që është arbitër i FIFA ashtu sikurse edhe Egemen Artun, Mehmet Ali Özer, Melih Kurt, Muhammed Selim Özbek, Seyfettin Alper Yılmaz dhe Yunus Dursun. Por jo vetëm kaq, skandali basteve zgjerohet edhe më shumë teksa përfshihen edhe 3700 futbollistë aktivë si dhe presidentë dhe drejtues klubesh.







