Aktivitetet u organizuan pasi së fundmi, Izraeli sulmoi Flotiljen Globale Sumud, duke sekuestruar anijet në ujërat ndërkombëtare dhe duke arrestuar qindra aktivistë.
Në disa qytete të Turqisë u zhvilluan të shtunën marshime dhe aktivitete solidariteti në mbështetje të popullit palestinez dhe të flotiljeve që udhëtojnë drejt Gazës të çarë bllokadën izraelite dhe për të dërguar ndihma humanitare, të cilat po sulmohen nga Izraeli, raporton Anadolu.
Në Stamboll, fondacioni IHH dhe Platforma për Mbështetjen e Palestinës organizuan një marshim me moton “Ecim drejt lirisë”, për të shprehur përkrahjen ndaj 11 anijeve me 146 aktivistë nga 22 vende, që janë pjesë e Flotiljes së Lirisë. Marshuesit u nisën nga Xhamia Ayasofya drejt rrethit Eminönü duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Vrasës Izrael, largohu nga Palestina” dhe “Nga lumi në det, Palestinë e lirë”.
Protestuesit gjithashtu bartnin pankarta me mesazhe të fuqishme si “Po marshoj për fëmijët e Gazës, ti çfarë po bën?”, “Ku ka shtypje, nuk mund të ketë indiferencë” dhe kërkuan fundin e gjenocidit në Gaza. Në fund të marshimit u mbajtën edhe fjalime publike në sheshin Eminönü.
Në Ankara, mijëra qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj e të moshuar morën pjesë në “Marshimin e Vendosmërisë për Gazën”, për të dënuar gjenocidin që Izraeli po kryen që prej 8 tetorit 2023 dhe për të ngritur zërin kundër krimeve në Palestinë.
Marshimi nisi nga Xhamia Melike Hatun dhe vijoi drejt sheshit “15 Korriku – Vullneti Kombëtar” në Kızılay, nën masa sigurie. Pjesëmarrësit valëvitën flamuj palestinezë dhe brohoritën slogane kundër Izraelit, ndërsa mbanin pankarta me mbishkrime si “Vetëm një hap larg, njerëzimi po vdes” dhe “Myslimanë, bashkohuni”. Në marshim morën pjesë edhe ministri i Transportit Abdulkadir Uraloğlu dhe guvernatori i Ankarasë Vasip Şahin.
Në Izmir, një flotilje varkash me flamuj turq dhe palestinezë doli në det për të shprehur solidaritet me Flotiljen Globale Sumud, e cila u sulmua nga Izraeli gjatë misionit të saj humanitar. Varkat u nisën nga disa pika bregdetare dhe u takuan përpara sheshit “Cumhuriyet”, ku u mbajtën fjalime mbështetëse.
Aktivitetet u organizuan pasi së fundmi, Izraeli sulmoi Flotiljen Globale Sumud, duke sekuestruar anijet në ujërat ndërkombëtare dhe duke arrestuar qindra aktivistë.
Ushtria izraelite ka vrarë mbi 67.100 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet intensive e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.