Një turmë e madhe njerëzish priti me entuziazëm aktivistët në Athinë, ndërsa fjalimi i frymëzueshëm i Greta Thunberg emocionoi të pranishmit:”Ne nuk jemi heronj”
Aktivistja suedeze Greta Thunberg dhe 170 aktivistë të tjerë nga flotilja humanitare për Gazën mbërritën në Athinë pasi kaluan disa ditë në paraburgim izraelit.
Në aeroportin e kryeqytetit grek, ata u pritën nga qindra njerëz me flamuj palestinezë, të cilët i duartrokitën me entuziazëm sapo dolën nga avioni.
Pas mbërritjes, Greta mbajti një fjalim të shkurtër në aeroport:
“Mund të flisja shumë, shumë gjatë për keqtrajtimet dhe abuzimet që përjetuam në burgim. Besomëni, por kjo nuk është historia. Izraeli po e përshkallëzon gjenocidin dhe shkatërrimin masiv me qëllim gjenocidal, duke u përpjekur të zhdukë një popull të tërë para syve tanë.”
Në një moment, turma filloi t’i brohoriste “Ju jeni heronj!”, por Greta i ndërpreu duke thënë:
“Jo, ne nuk jemi heronj. Ne po bëjmë minimumin e domosdoshëm.”
Ajo shtoi më tej:
“Ky dhe gjenocidet e tjera po mundësohen nga qeveritë tona, institucionet, mediat dhe kompanitë. Është përgjegjësia jonë ta ndalim këtë bashkëfajësi.”
Sipas të dhënave nga ministritë e jashtme evropiane, shumica e aktivistëve të liruar do të transportohen me avion në Greqi, prej nga do të vazhdojnë drejt vendeve të tyre.
Mes tyre janë 28 francezë, 27 grekë, 15 italianë dhe 9 suedezë, ndërsa 21 spanjollë janë kthyer tashmë në Madrid. Ende të paktën 28 shtetas spanjollë mbeten në paraburgim izraelit.
Kujtojmë se, sipas dokumenteve diplomatike, Greta Thunberg ishte detyruar të mbante flamurin izraelit gjatë fotografimeve në paraburgim.
Ajo u kishte treguar diplomatëve suedezë se në burg kishte mungesë të ujit dhe ushqimit, kishte pësuar dehidrim dhe skuqje në lëkurë nga pleshtat, dhe se ishte trajtuar në mënyrë të ashpër, duke u detyruar të ulej për orë të tëra në sipërfaqe të forta.
Raporti përmend gjithashtu se ushtarët izraelitë e kishin tërhequr për flokësh, e kishin rrahur dhe e kishin detyruar të puthte flamurin izraelit.