Trupat amerikane po kërkojnë pilotin e avionit të rrëzuar në Iran, është aktivizuar një numër i madh mjetesh ajrore

Shumë mjete ajrore që i përkasin ushtrisë amerikane që nga mëngjesi janë angazhuar në kërkimin e pilotit të avionit F-15, i cili, sipas pretendimeve të Gardës Revolucionare Iraniane, është rrëzuar mbrëmë mbi territorin e Iranit.

Sipas agjencisë Fars, në provincat perëndimore dhe jugore të Iranit që nga mëngjesi po zhvillohet një operacion kërkimi për pilotin amerikan, fati i të cilit mbetet ende i panjohur.

Përveç dy helikopterëve të përmendur nga Fars, në disa pamje të tjera shihet edhe një mjet ajror i ngjashëm me avionin HC-130J Combat King II, i cili përdoret pikërisht për misione të tilla kërkimi dhe shpëtimi.

Fars gjithashtu thekson se edhe forcat iraniane janë në kërkim të pilotit, si dhe qytetarët e Iranit që jetojnë në këtë pjesë të vendit.

Në një televizion lokal iranian madje është publikuar një njoftim ku thuhet se çdo person që jep informacione për vendndodhjen e pilotit do të shpërblehet me një shpërblim të vlefshëm, edhe pse nuk është bërë e ditur saktësisht për çfarë bëhet fjalë.

SHBA-ja në raste të mëparshme ka mohuar në mënyrë të prerë pretendimet se Irani ka rrëzuar avionë amerikanë, por për këto pretendime të fundit nuk ka pasur reagim.

Agjencia Tasnim më herët ka raportuar se piloti ndodhet patjetër në territorin e Iranit dhe se forcat amerikane pranë kufirit iranian kanë tentuar ta evakuojnë, por pa sukses.

Kategoritë
BotaLajme