Trumpi i nervozuar me sjelljen e Netanyahut: “Nuk e kuptoj pse je gjithmonë kaq i mallkuar negativ”

Kur Hamasi të premten u përgjigj me “po, por…” ndaj propozimit të paqes për Gazën të paraqitur nga Trumpi, presidenti amerikan e telefonoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të folur mbi atë që e konsideronte si një lajm të mirë – por Netanyahu nuk ishte i këtij mendimi, shkruan Axios.

“Sipas një zyrtari amerikan të informuar për thirrjen, Bibi i tha Trumpit se kjo nuk është arsye për festim dhe se kjo nuk do të thotë asgjë.”
Trumpi iu përgjigj: “Nuk e di pse je gjithmonë kaq i mallkuar negativ. Kjo është një fitore. Pranoje.”

Kjo shkëmbim fjalësh, e konfirmuar edhe nga një tjetër zyrtar amerikan, tregon sa i vendosur është Trumpi për ta shtyrë Netanyahun të kapërcejë rezervat e tij dhe ta bindë ta përfundojë luftën nëse Hamasi pranon marrëveshjen.

Në përgjigjen zyrtare ndaj planit të Trumpit, Hamasi tha se ishte gati t’i lironte të gjithë pengjet e mbetura në këmbim të përfundimit të luftës dhe tërheqjes së plotë të forcave izraelite nga Gaza, por grupi kërkoi negociata për shumë detaje.

Në konsultimet private të së premtes, Netanyahu theksoi se përgjigjen e Hamasit e sheh si një refuzim të planit të Trumpit. Ai tha se dëshiron të koordinojë reagimin me SHBA-në për të shmangur narrativën se Hamasi është përgjigjur pozitivisht, tha një zyrtar izraelit për Axios.

Gjendja shpirtërore e Trumpit ishte krejt tjetër. Ai kishte frikë se Hamasi do ta refuzonte menjëherë planin dhe përgjigjen e pa si një mundësi për marrëveshje, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Kur Trumpi e telefonoi Netanyahun, reagimi i vakët i kryeministrit izraelit nuk ishte ajo që priste, thanë dy zyrtarë amerikanë — prandaj reagoi me ton të ashpër.

Trumpi foli edhe për këtë telefonatë në një intervistë të shkurtër për Axios të shtunën, duke thënë se i kishte thënë Netanyahut se “kjo është mundësia jote për fitore”, dhe se Netanyahu në fund ishte pajtuar.

“U pajtua me këtë. Duhet të jetë në rregull me këtë. Nuk ka zgjedhje. Me mua duhet të jesh në rregull”, tha Trumpi.

Menjëherë pas telefonatës me Netanyahun, Trumpi lëshoi një deklaratë duke i bërë thirrje Izraelit të ndalojë sulmet ajrore në Gaza. Tre orë më vonë, Netanyahu dha urdhrin.

Ndihmësit e Netanyahut theksuan të shtunën se ai dhe presidenti janë plotësisht të harmonizuar. Netanyahu publikoi një video-mesazh ku lavdëronte Trumpin dhe theksonte pjesë të deklaratave të fundit të tij me të cilat ishte dakord.

Një zyrtar amerikan tha se dinamika midis tyre gjatë telefonatës së së premtes ishte shumë më e tensionuar dhe se Trumpi ishte i irrituar. Megjithë “debatin e ashpër dhe të fortë”, të dy zyrtarët amerikanë theksuan se ata arritën marrëveshje.

“Në fund të fundit, presidenti Trump dëshiron paqe, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Administrata tashmë po bashkëpunon ngushtë me Izraelin për ta arritur këtë,” tha një nga zyrtarët.

Të shtunën, Trumpi vazhdoi të ushtronte presion mbi të dyja palët për marrëveshje. Ai dërgoi një mesazh publik Hamasit, duke e paralajmëruar të mos përdorë taktika vonese. Ai theksoi se nëse Hamasi nuk ecën përpara me lirimin e pengjeve, marrëveshja do të hiqet nga tavolina.

Ai gjithashtu arriti ta bindte Izraelin të pranonte një hartë të përditësuar për tërheqjen fillestare të forcave izraelite nga disa pjesë të Gazës.

Të hënën pritet që në Egjipt të nisin negociatat jo të drejtpërdrejta midis Hamasit dhe Izraelit. Pritet që të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të marrin pjesë në përpjekjet për ta përfunduar marrëveshjen brenda kësaj jave.

Kategoritë
BotaLajme