Trump urdhëron FBI-në të hapin arkivat e zhdukjes së Amelia Earhart, një nga misteret më të mëdha të shekullit të 20-të

Administrata Trump u ka urdhëruar punonjësve të FBI-së në Uashington dhe Nju Jork që të kontrollojnë menjëherë stacionet e tyre të punës dhe arkivat dixhitale për dokumente të mundshme që lidhen me zhdukjen e Amelia Earhart, raporton CNN nga dy burime në qarqet policore.

Punonjësit e zyrave të FBI-së në Uashington dhe Nju Jork morën një alarm të pazakontë me “prioritet të lartë” të martën vonë në mbrëmje, i cili shkruante:

“Si një kërkesë prioritare nga Zyra Ekzekutive e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, të kërkohen të gjitha vendet ku mund të gjenden të dhëna në letër ose fizike – duke përfshirë dosjet e hapura dhe të mbyllura – për çdo dokument që lidhet me Amelia Earhart.”

Punonjësve u është dhënë afat deri të mërkurën për t’iu përmbajtur urdhrit, i cili vjen në mes të ditës së shtatë të mbylljes së pjesshme të qeverisë federale, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.

Amelia Earhart u zhduk në vitin 1937, në një përpjekje për t’u bërë gruaja e parë që fluturoi rreth botës. Pas 16 ditësh kërkimesh, ajo u shpall e zhdukur në Paqësor. Është një nga misteret më të mëdha të shekullit të 20-të.

Presidenti Donald Trump tha muajin e kaluar se i kishte urdhëruar administratës së tij të “deklasifikonte dhe publikonte të gjitha dokumentet qeveritare” që lidheshin me Earhart.

“Zhdukja e saj gati 90 vjet më parë vazhdon të magjepsë miliona njerëz. Po urdhëroj administratën time të deklasifikojë dhe publikojë të gjitha të dhënat qeveritare në lidhje me Amelia Earhart, fluturimin e saj të fundit dhe gjithçka që lidhet me rastin”, shkroi Trump në Truth Social.

Earhart, gruaja e parë që fluturoi vetëm përtej Oqeanit Atlantik, theu një sërë rekordesh të aviacionit dhe u bë një simbol i qëndrueshëm i guximit dhe këmbënguljes.

Teori të shumta konspiracioni janë zhvilluar që nga zhdukja e saj, por siç kujtoi CNN në vitin 2024, qeveria amerikane fillimisht besonte se Earhart dhe navigatori i saj u rrëzuan në Oqeanin Paqësor pasi u mbaroi  karburanti.

Trump ka urdhëruar më parë publikimin e dokumenteve që lidhen me vdekjet e personave të profilit të lartë që kanë tërhequr teoricienë konspirativë për dekada të tëra – duke përfshirë ato të Presidentit John F. Kennedy , Senatorit Robert F. Kennedy dhe Pastorit Martin Luther King Jr.

Kategoritë
BotaLajme