



Moderatorja Dana Perino tha se është shqetësuese që nuk është dëgjuar zëri i popullit iranian për shkak të ndërprerjes së internetit në atë vend. Ajo gjithashtu pretendoi se qeveria iraniane ka vrarë dhjetëra mijëra qytetarë gjatë protestave.
Ajo pyeti nëse Trump ka informacione për mënyrën se si po jetojnë qytetarët iranianë, nëse kanë ujë të pijshëm dhe furnizime të mjaftueshme ushqimore.
Në vend që të përgjigjej, presidenti amerikan ndryshoi temën dhe i bëri komplimente moderatores.
“Por së pari, a e mban mend kur para disa vitesh drekuam në katin përdhes të Trump Tower, kur ishte një ndërtesë krejt e re?”, pyeti ai.
Perino, ish-zëdhënëse e administratës së George W. Bush, u përgjigj se kishte kaluar shumë kohë. Trump vazhdoi:
“Nuk ke ndryshuar fare. Nuk duhet ta them këtë. Kjo mund të jetë fundi i karrierës sime politike, por ndoshta dukesh edhe më mirë, në rregull? Nuk e di çfarë bën.”
Perino u përgjigj se kjo vjen nga modeli i flokëve dhe grimi i televizionit.
“Nuk duhet ta them këtë, sepse mund të jetë fundi i karrierës sime politike. Sot nuk lejohet më të thuash se një grua është e bukur. E di këtë, Jesse. Duhet të jesh i kujdesshëm”, shtoi Trump, duke iu drejtuar bashkëmoderatorit Jesse Watters.
Në fund, presidenti amerikan iu kthye pyetjes, por nuk iu përgjigj pretendimeve për ushqimin dhe ujin e pijshëm. Në vend të kësaj, ai theksoi rreziqet e protestave kundër qeverisë iraniane.