Trump pretendon se i është ofruar të bëhet udhëheqësi i ri suprem i Iranit, por ka refuzuar

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të enjten këmbënguli edhe më tej në pretendimin e tij se po zhvillon bisedime me Iranin për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur pothuajse një muaj, megjithëse Teherani ka mohuar kategorikisht se po zhvillohen negociata.

Duke folur në një aktivitet për mbledhje fondesh për Partinë Republikane, Trump shkoi edhe më tej, duke pretenduar se udhëheqja iraniane i kishte propozuar në mënyrë joformale që ai të bëhej udhëheqësi i ardhshëm suprem i Republikës Islamike, por se ai e kishte refuzuar këtë ofertë.

“Kurrë nuk ka pasur një udhëheqës shteti që e ka dashur më pak atë funksion sesa të jem në krye të Iranit. I dëgjojmë shumë qartë. Ata thonë: ‘Nuk e dua këtë. Do të donim që ju të bëheshit udhëheqësi i ardhshëm suprem.’ Jo, faleminderit. Nuk e dua këtë,” tha Trump në darkën vjetore të NRCC-së.

Trump e përshkroi operacionin kundër Iranit si një “shkatërrim ushtarak”, duke shpallur edhe një herë me kënaqësi fitoren e SHBA-së në këtë luftë.

Ai pretendoi se kanalet sekrete të komunikimit me Teheranin po përparojnë dhe se autoritetet iraniane dëshirojnë fuqishëm një armëpushim, por hezitojnë për shkak të frikës nga pasojat e brendshme.

“Ju them se po fitojmë aq bindshëm sa askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë si ajo që po bëjmë në Lindjen e Mesme me Iranin. Ata, ndërkohë, po negociojnë dhe duan me çdo kusht të arrijnë një marrëveshje, por kanë frikë ta thonë këtë sepse mendojnë se njerëzit e tyre mund t’i vrasin. Po ashtu kanë frikë se mund t’i vrasim edhe ne,” tha ai.

Kategoritë
BotaLajme