Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Maria Corina Machado, fituesja e këtij viti e Çmimit Nobel për Paqe, e ka telefonuar personalisht për t’i thënë se e pranon çmimin në nder të tij, duke shtuar se “ai është ai që me të vërtetë e meriton”.
Trump u referua marrëveshjes për armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, duke e cilësuar atë si “marrëveshjen më të rëndësishme të paqes ndonjëherë të arritur”. Ai tha se kjo marrëveshje është një nga “shtatë luftërat” që, sipas tij, ka ndihmuar t’i përfundojë gjatë mandatit të tij.
“Personi që mori Çmimin Nobel për Paqe, Maria Corina Machado, më telefonoi dhe më tha: ‘E pranoj këtë çmim në nderin tënd, sepse ti je ai që e meriton me të vërtetë’,” – tha Trump gjatë një paraqitjeje publike.
Ai shtoi se kjo ishte “një gjest shumë i bukur” dhe se ai nuk e kishte kërkuar çmimin për vete.
“Nuk thashë ‘atëherë ma jepni mua’, edhe pse mendoj se ajo ndoshta e tha. Ishte shumë e sjellshme. Dhe e ndihmova në atë rrugëtim — atje në Venezuelë u duhet shumë ndihmë, është një katastrofë e plotë,” shtoi Trump.
Maria Corina Machado, udhëheqëse opozitare në Venezuelë dhe kritike e hapur e regjimit të Nicolás Maduro-s, është shpallur këtë vit fituese e Çmimit Nobel për Paqe për përpjekjet e saj për demokraci dhe të drejta të njeriut në vendin e saj.