Trump: Nëse Izraeli anekson Bregun Perëndimor, humbet të gjithë mbështetjen e SHBA-së

“Nuk do të ndodhë sepse unë u kam premtuar vendeve arabe. Nuk mund ta bëni këtë tani. Nëse një gjë e tillë ndodh, Izraeli humbet të gjithë mbështetjen e SHBA-së”, tha Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e SHBA-së nëse anekson Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për revistën Time, Trump komentoi mbi votimin e fundit të parlamentit izraelit lidhur me Bregun Perëndimor.

Pyetjes se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e Benjamin Netanyahut në Izrael do të ndërmerrte hapa drejt aneksimit të Bregut Perëndimor, Trump iu përgjigj se “Kjo nuk do të ndodhë, kjo nuk do të ndodhë. Nuk do të ndodhë sepse unë u kam premtuar vendeve arabe. Nuk mund ta bëni këtë tani. Nëse një gjë e tillë ndodh, Izraeli humbet të gjithë mbështetjen e SHBA-së”.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, i cili përfundoi vizitën e tij në Izrael, bëri gjithashtu një deklaratë për këtë çështje në aeroport.

Vance deklaroi se miratimi në votimin paraprak i projektligjit për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar ndërsa ai ndodhej në Izrael, mbart cilësinë e fyerjes ndaj tij dhe se këtë e konsiderojnë një veprim “idiot”, dhe se politika e administratës Trump është kundër kësaj.

Të mërkurën në një votimin paraprak në parlamentin izraelit u miratua me shumicë votash projektligji, për aneksimin e vendbanimeve të paligjshme hebraike të sekuestruara nga tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Nga anëtarët e parlamentit të pranishëm, 24 votuan “kundër”, ndërsa 25 votuan “po”.

Në mënyrë që projektligji të bëhet ligj, ai duhet të kalojë edhe tre votime të tjera parlamentare.

Kategoritë
BotaLajme