Trump: Ndihma humanitare po vërshon në Gaza pas armëpushimit

“Ndihma humanitare po vërshon tani, përfshirë qindra kamionë me ushqim, pajisje mjekësore dhe furnizime të tjera”, tha Trump gjatë samitit me udhëheqës botërorë në Sharm el-Sheikh të Egjiptit.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se ndihma humanitare shumë e nevojshme ka filluar të hyjë në Rripin e rrethuar të Gazës pasi Izraeli dhe Hamasi shkëmbyen të burgosur, raporton Anadolu.

“Ndihma humanitare po vërshon tani, përfshirë qindra kamionë me ushqim, pajisje mjekësore dhe furnizime të tjera, shumica e të cilave janë financuar nga njerëz që ndodhen në këtë sallë. Civilët po kthehen në shtëpitë e tyre. Pengjet po ribashkohen”, tha Trump gjatë samitit me udhëheqës botërorë në Sharm el-Sheikh të Egjiptit.

“Po lind një ditë e re dhe e bukur dhe tani fillon rindërtimi. Rindërtimi ndoshta do të jetë pjesa më e lehtë. Mendoj se kemi bërë pjesën më të vështirë, sepse pjesa tjetër do të vijë vetë. Ne të gjithë dimë si të rindërtojmë dhe dimë të ndërtojmë më mirë se kushdo tjetër në botë”, shtoi ai.

Trump shprehu “mirënjohje të madhe ndaj vendeve arabe dhe myslimane që ndihmuan për ta bërë të mundur këtë përparim të jashtëzakonshëm”.

Ai gjithashtu tha se rindërtimi i Gazës duhet të përfshijë çmilitarizimin e territorit dhe krijimin e një force të re “të ndershme” policie civile për të siguruar sigurinë e banorëve të saj.

“Jemi gjithashtu dakord se rindërtimi i Gazës kërkon që ajo të çmilitarizohet dhe të krijohet një forcë e re policie civile e ndershme për të garantuar kushte të sigurta për njerëzit në Gaza”, tha Trump.

Më herët sot, Hamasi dhe Izraeli kryen shkëmbim të të burgosurve që solli lirimin e qindra të burgosurve palestinezë nga burgu famëkeq ushtarak Ofer në Izrael dhe nga burgje të tjera izraelite në Shkretëtirën e Negevit. Ndërkaq, të 20 të burgosurit e gjallë izraelitë u liruan gjithashtu nga Hamasi.

Trump tha se po punohet për të gjetur trupat e pengjeve që kanë vdekur gjatë robërisë, duke shtuar: “Ata e dinë se ku ndodhen disa prej tyre, mendoj se pesë apo gjashtë janë ende atje”.

“Ata po kërkojnë trupat. I dinë zonat dhe grupet e kërkimit janë atje dhe po e bëjnë këtë në bashkëpunim me Izraelin dhe do të gjejnë mjaft prej tyre”, tha ai.

Që nga tetori 2023, sulmet izraelite kanë vrarë mbi 67.800 palestinezë në Gaza, shumica gra dhe fëmijë, duke e lënë enklavën pothuajse të pabanueshme.

Kategoritë
BotaLajme