Trump: Marrëveshja për Gazën do të çojë në paqe më të gjerë në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe Iranin

“Do të kemi paqe. Dhe, meqë ra fjala, besoj se Irani do të jetë, në fakt pjesë e të gjithë situatës së paqes”, tha presidenti amerikan Donald Trump.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump, të mërkurën vetëm disa orë pasi njoftoi se Izraeli dhe Hamasi pranuan fazën e parë të planit të tij për t’i dhënë fund luftës, tha se Irani ka të ngjarë të jetë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje në Lindjen e Mesme pasi lufta në Gaza të përfundojë.

Trump tha se ka qenë i angazhuar në “disa biseda shumë të mira” me Iranin mbi një “marrëveshje” të paspecifikuar, më pak se katër muaj pasi ai kreu një seri sulmesh që synonin programin bërthamor të Teheranit në qershor. Irani ishte “rreth një muaj, ndoshta dy muaj, larg nga posedimi i një arme bërthamore, njoftoi ai duke shtuar se nëse do ta lejonte këtë të ndodhte, kjo marrëveshje nuk do të kishte qenë e mundur”.

Ai po aludonte në propozimin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza, por tha se është “shumë i bindur” se një marrëveshje më e gjerë paqeje në Lindjen e Mesme do të arrihet pasi lufta izraelite në Gaza të përfundojë, duke thënë, “duket sikur gjithçka është në një shkallë tjetër” tani.

“Do të kemi paqe. Dhe, meqë ra fjala, besoj se Irani do të jetë, në fakt pjesë e të gjithë situatës së paqes. Por, vendet që sinqerisht, nuk u morën vesh, janë të gjitha të përfshira dhe kjo e ka bashkuar të gjithë botën. Është e mahnitshme”, tha Trump gjatë një interviste për “Fox News”.

“Gjërat do të jenë shumë të ndryshme në Lindjen e Mesme, por gjërat do të jenë të ndryshme në të gjithë botën”, shtoi ai. Më herët të mërkurën, Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi nënshkruan fazën e parë të marrëveshjes së propozuar nga SHBA-ja për Gazën.

“Të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme”, tha ai, duke shtuar se të gjitha palët do të “trajtohen në mënyrë të drejtë”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për AA-në se pengjet pritet të lirohen të hënën.

Trump u tha gazetarëve se mund të vizitojë Egjiptin më vonë këtë javë dhe se me Shtëpinë e Bardhë konfirmoi se ai po shqyrton një udhëtim rajonal menjëherë pas një vizite të planifikuar të premten në Qendrën Mjekësore “Walter Reed” në Bethesda, Maryland.

Që nga tetori 2023, sulmet izraelite kanë vrarë gati 67.200 palestinezë në Rripin e Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë duke e kanë bërë enklavën kryesisht të pabanueshme.

Presidenti amerikan tha se pasi të miratohet marrëveshja e tij e paqes në Gaza, enklava bregdetare “do të jetë një vend shumë më i sigurt dhe do të jetë një vend që rindërtohet ndërsa shtetet e tjera në zonë do ta ndihmojnë atë të rindërtohet, sepse ato kanë sasi të jashtëzakonshme pasurie dhe duan ta shohin këtë të ndodhë”.

“Ne do të përfshihemi në ndihmën e tyre për ta bërë atë të suksesshëm dhe për ta ndihmuar të qëndrojë paqësore, por mendoj se do të jetë paqësore”, tha ai.

Kategoritë
BotaLajme