Trump i tha Melonit: “Do të rrezikoj… ju jeni një grua e re dhe e bukur”

Gjatë samitit ndërkombëtar për paqen në Gazë të mbajtur në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, ku Donald Trump, Abdel Fattah el-Sisi, Recep Tayyip Erdoğan dhe emiri i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, nënshkruan planin e paqes për Gazën, presidenti amerikan shkaktoi një moment të papritur me një koment drejtuar kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Pas nënshkrimit të dokumentit, Trump mbajti një fjalim para liderëve botërorë, duke e quajtur ditën e sotme “moment historik për njerëzimin”:

“Sot kemi arritur atë që të gjithë thoshin se ishte e pamundur — më në fund kemi paqe në Lindjen e Mesme. Është e mrekullueshme të shohësh lindjen e një dite të re e të bukur. Tani fillon rindërtimi,” tha ai, duke falënderuar popujt arabë dhe myslimanë për rolin e tyre në arritjen e marrëveshjes.

Ndërsa fliste, pas tij qëndronin disa nga krerët botërorë, përfshirë Melonin. Në një moment Trump u kthye drejt saj dhe tha me buzëqeshje:

“Kemi këtu një grua të re të bukur. Nëse përdor fjalën ‘e bukur’ në Shtetet e Bashkuara, karriera jote politike mbaron.”

Më pas shtoi:

“Por unë do të rrezikoj. Ku është ajo? Ja ku është. Nuk ju shqetëson kur ju thonë se jeni ‘e bukur’, apo jo? Sepse jeni. Faleminderit që erdhët. Ajo donte të ishte këtu dhe është e jashtëzakonshme. Të gjithë e respektojnë shumë. Është një politikane shumë e suksesshme.”

Komenti i Trumpit, i bërë në stilin e tij karakteristik, u prit me qeshje dhe duartrokitje të lehta në sallë, ndërsa pamjet e momentit u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale si një nga episodet më të përfolura të samitit të paqes për Gazën.

Kategoritë
BotaLajme