



Gjatë takimit, Trump, i ulur pranë kryeministres japoneze, tha se SHBA-të duhej ta befasonin Iranin me sulmin, ashtu siç kishte bërë Japonia në Pearl Harbor.
Shakaja erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje të një gazetari japonez: “Pse Trump nuk e njoftoi Japoninë për sulmin fillestar ndaj Iranit?”
Trump tha se elementi i befasisë ishte kyç për suksesin e operacionit, duke bërë krahasim me sulmin në Pearl Harbor.
“Nuk i treguam askujt sepse donim befasi. Kush di më mirë për befasitë se Japonia? Dhe pikërisht për këtë arritëm sukses të madh në dy ditët e para”, tha Trump, duke shkaktuar të qeshura në sallë, por edhe siklet në fytyrën e kryeministres japoneze.
Para 84 vitesh, marina perandorake japoneze kreu sulmin ndaj bazës detare amerikane Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941, çka çoi në përfshirjen e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore. Në orët e para të mëngjesit, më shumë se 350 avionë japonezë u nisën nga aeroplanmbajtëset drejt Pearl Harborit në Havai.
Sulmi zgjati më pak se dy orë, por pasojat ishin katastrofike: anije luftarake të fundosura ose të dëmtuara rëndë, pista të shkatërruara, avionë të asgjësuar dhe mbi 2.400 ushtarë dhe civilë amerikanë të vrarë.