Trajneri Foda optimist për rezultatin e Kosovës në ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Suedisë

Foda tha se pavarësisht fitores së Kosovës kundër Suedisë në Prishtinë, fokusi i kombëtares është në të ardhmen dhe fitore të tilla duhet të shërbejnë si motiv për vijimësi.

Trajneri i kombëtares së Kosovës, Franco Foda është shprehur optimist për rezultatin e Kosovës nga ndeshjet e tetorit të cilat janë të vlefshme për kualifikime për Kupën e Botës 2026, raporton Anadolu.

Në një konferencë sot për media, Foda tha se dy ndeshjet, ajo më 10 tetor kundër Sllovenisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, si dhe ajo më 13 tetor ku Kosova si mysafire përballet me Suedinë në ndeshjen kthyese, nuk do të jenë të lehta.

“Do të jenë dy ndeshje të vështira, jo të lehta. Mirëpo, duke qenë se kemi fituar ndaj Suedisë, kemi treguar kapacitetet tona, kemi treguar pasion dhe vendosmëri dhe skuadra e ka parë që ka mundësi të fitohet edhe ndaj kundërshtarëve të tillë”, tha Foda.

Ai tha se në seancat stërvitore në vijim do të bëjnë stërvitje dhe përgatitje maksimale me shpresën për triumf. Foda tha se në ndeshjen ndaj Sllovenisë në Prishtinë ka më shumë gjasa për fitore, marrë parasysh mbështetjen e publikut.

Foda theksoi se pavarësisht fitores së Kosovës kundër Suedisë në Prishtinë, fokusi i kombëtares është në të ardhmen dhe fitore të tilla duhet të shërbejnë si motiv për vijimësi.

“Futbolli nuk luhet për të kaluarën, por për të ardhmen dhe tani kjo ndeshje kundër Suedisë i takon të kaluarës, i kemi marrë tre pikë shumë të rëndësishme por duhet të shohim në të ardhmen dhe tani kemi krijuar vetëbesim të mirë dhe pres nga lojtarët në ndeshjen kundër Sllovenisë të angazhohen maksimalisht dhe të japin kualitetin e tyre maksimal në ndeshjet e radhës”, tha Foda.

Ai tha se rikthimi i Edon Zhegrovës i cili luan tani për ekipin e Juventusit, është i rëndësishëm për kombëtaren e Kosovës.

Gjithashtu u bë e ditur se për shkak të lëndimeve, mungojnë pesë futbollistë, përfshirë kapitenin Amir Rrahmani, Florent Hadergjonaj, Leart Paqarada, Vesel Demaku dhe Baton Zabërgja.

Ditë më parë formacionit kosovar iu bashkua edhe mbrojtësi Albian Hajdari i cili hoqi dorë nga përfaqësimi i Zvicrës për t’iu bashkuar Kosovës.

Kategoritë
Sport