Ngjarja ndodhi në zonën e Kepezit, pranë qytetit turistik Antalya. Një grua shtatzënë dhe pesë fëmijët e saj humbën jetën në një zjarr që përfshiu kontejnerët e përdorur për strehimin e punëtorëve bujqësorë.
Zjarri përfshiu disa kontejnerë që shërbenin si banesa dhe situata u përkeqësua shpejt.
“Tre kontejnerë u përfshinë nga flakët dhe humbëm një nënë dhe pesë fëmijë të moshës nga katër deri në nëntë vjeç”, tha guvernatori rajonal Hulusi Şahin.
Në zjarr u plagosën edhe pesë persona të tjerë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Sipas agjencisë shtetërore turke, gruaja ishte shtatzënë. Mes të lënduarve është edhe një fëmijë dyvjeçar nga e njëjta familje, si dhe pronari i objektit.
“Zjarri shpërtheu gjatë natës. Bëhej fjalë për një kontejner ku qëndronin shtetas sirianë. Fatkeqësisht, pesë fëmijë dhe nëna e tyre humbën jetën. Nëna ishte shtatzënë. Babai i fëmijëve është gjithashtu i plagosur dhe ndodhet në kujdes intensiv. Ata ishin punëtorë bujqësorë. Një natë më parë kishin ndezur një skarë dhe nuk e kishin fikur zjarrin. Kaq kemi dëgjuar deri tani”, tha Süleyman Kaplan, kryetar i lagjes Gaziler në rrethin Kepez, sipas Hurriyet.
Pas shuarjes së zjarrit, ekipet kontrolluan kontejnerin dhe gjetën trupat e pajetë të shtetasve sirianë: Leyla Elali (27), Mune Ahmed (9), Fatme Ahmed (8), Hayat Ahmed (7), Iman Ahmed (5) dhe Mahmud Ahmed (4).
Shkaku i tragjedisë ende nuk është përcaktuar, por informacionet fillestare tregojnë se zjarri mund të ketë nisur nga një skarë e lënë pa mbikëqyrje para kontejnerit.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa tre persona tashmë janë ndaluar në lidhje me rastin.









