Në një analizë të publikuar nga gazeta izraelite Haaretz, theksohet se pas luftës SHBA/Izrael–Iran, në Lindjen e Mesme mund të formohet një rend i ri, ku vendet e rajonit do të reduktojnë varësinë nga SHBA, ndërsa Turqia do të dalë në pah si një aktor kyç.
Ndërsa sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit kanë hyrë në javën e pestë, diskutimet për periudhën pas luftës po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën ndërkombëtare. Në analizën e Elad Giladi nga Universiteti i Haifës, me titull “Lufta me Iranin mund të krijojë një rend të ri rajonal: më pak SHBA, më shumë Turqi”, theksohet se rajoni po hyn në një fazë transformimi.
Sipas analizës, vendet e rajonit po rishikojnë strategjitë e tyre të mbrojtjes dhe përmes kontakteve diplomatike po kërkojnë mënyra për të minimizuar varësinë nga SHBA në aspektin e sigurisë.
Veçanërisht vendet e Gjirit po reformulojnë politikat e tyre të sigurisë dhe aleancave, ndërsa Turqia përmendet si një faktor qendror në këtë proces. Marrëdhëniet e Turqisë me Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë thelluar në një nivel strategjik, ndërsa samiti katërpalësh i 19 marsit mes Turqisë, Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Pakistanit paraqitet si një shembull konkret i kësaj qasjeje të re.
Në analizë theksohet gjithashtu se qëndrimi i ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, se “nëse vendet e rajonit nuk i zgjidhin vetë problemet e tyre, fuqitë e jashtme do të imponojnë interesat e tyre”, ka gjetur mbështetje në kryeqytetet e Gjirit. Në këtë kuadër, industria e zhvilluar e mbrojtjes e Turqisë shihet si një alternativë për diversifikimin e sigurisë për vendet e rajonit.
Analiza vëren se vendet e Gjirit nuk synojnë të ndërpresin plotësisht marrëdhëniet me SHBA-në, por duan ta pozicionojnë Uashingtonin si partner dhe jo si garantues të vetëm të sigurisë.
Ndërkohë, lufta aktuale konsiderohet si një pikë kthese që mund të rrisë ndikimin e Turqisë në rajon. Sipas vlerësimeve, kjo periudhë mund të shënojë fillimin e një procesi ku vendet e rajonit do të ndërtojnë një arkitekturë të re sigurie nga brenda.
Nga ana tjetër, në analizë thuhet se edhe pse vendet e Gjirit ndajnë shqetësime të ngjashme me Izraelin lidhur me Iranin, ato shmangin të shfaqen në të njëjtin bllok politik me Tel Avivin. Kjo mund të çojë në një rend të ri rajonal ku Izraeli mund të mbetet jashtë, ndërsa Turqia do të ketë një rol qendror.










