Thunberg i përgjigjet Trumpit: “E pranoj këshillën tuaj, pasi ju jeni ekspert në zemërim”

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg, e cila tani i është përgjigjur deklaratave të tij.
Komentet e Trumpit erdhën pasi Thunberg u arrestua dhe u dëbua nga Izraeli, ku kishte marrë pjesë në Flotilën Globale të Solidaritetit për Gazën. Ai e quajti “shkaktare problemesh” dhe tha se ishte i habitur që “është kaq e zemëruar për një person të ri”.

“Ajo është thjesht problematike. Mendon se nuk i intereson më mjedisi, dhe tani merret me këtë? Ka problem me kontrollin e zemërimit, mendoj se duhet të vizitojë një mjek. Është shumë e zemëruar, shumë e çmendur,” tha Trump.

Thunberg iu përgjigj përmes Instagramit, duke shkruar se kishte dëgjuar se Trump “kishte dhënë përsëri komente shumë lavdëruese për karakterin tim” dhe se ishte mirënjohëse për kujdesin e tij për shëndetin e saj mendor.

“Do t’i pranoja me kënaqësi çdo këshillë që mund të keni për t’u përballur me të ashtuquajturat ‘probleme me kontrollin e zemërimit’, pasi, duke gjykuar nga sjellja juaj mbresëlënëse deri më sot, duket se edhe vetë vuani nga e njëjta gjë,” shkroi ajo me ironi.

Thunberg ishte njëra nga më shumë se 400 aktivistë që me mbi 40 anije tentuan të thyenin bllokadën e Gazës për të dërguar ndihma për popullsinë civile.
Pas rrëmbimit të tyre të paligjshëm në ujërat ndërkombëtare, aktivistët u mbajtën në kampe izraelite. Thunberg u ekspozua ndaj abuzimeve psikike dhe fizike gjatë qëndrimit në burgun izraelit, derisa u transferua në Greqi.

Kategoritë
BotaLajme