Teherani paralajmëron kundërpërgjigje ndaj bllokadës amerikane: “Do të mbyllim Detin e Kuq dhe Gjirin Persik për gjithë tregtinë”

Ushtria e Iranit ka paralajmëruar se mund të bllokojë plotësisht trafikun detar në Gjiri Persik, Detin e Omanit dhe Detin e Kuq nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë me bllokadën e porteve iraniane.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Mehr, gjeneral-majori Ali Abdollahi, komandant i lartë në shtabin qendror Khatam al-Anbiya, deklaroi se Teherani mund të ndërpresë të gjitha rrugët tregtare në këto korridore kyçe detare nëse bllokada amerikane vazhdon.

Abdollahi kritikoi ashpër Uashingtonin, duke i cilësuar veprimet amerikane si “të paligjshme”.

“Nëse Amerika agresive dhe terroriste vazhdon me veprimet e saj të paligjshme të bllokadës detare në rajon dhe vazhdon të krijojë pasiguri për anijet tregtare iraniane dhe cisternat e naftës, kjo do të konsiderohet si hyrje në shkeljen e armëpushimit,” theksoi ai.

Ai shtoi se në këtë rast forcat e armatosura të Iranit “nuk do të lejojnë vazhdimin e asnjë eksporti apo importi në Gjirin Persik, Detin e Omanit dhe Detin e Kuq”.

Duke përmbledhur mesazhet kryesore, nga Teherani u bë e qartë se nuk do të lejohet asnjë aktivitet importi apo eksporti në Gjir dhe në Detin e Omanit nëse bllokada amerikane vazhdon.

Ushtria iraniane theksoi gjithashtu se, në kushtet aktuale, nuk do të lejojë as qarkullimin e tregtisë përmes Detit të Kuq, duke paralajmëruar se Irani do të veprojë “me gjithë forcën” për të mbrojtur pa kompromis territorin, sovranitetin dhe interesat e tij kombëtare.

Kjo kërcënim vjen në një moment tensionesh shumë të larta në rajon, dhe zbatimi i këtyre paralajmërimeve mund të ketë pasoja të rënda për tregtinë globale dhe transportin e energjisë, që çdo ditë kalon nëpër këto rrugë jetike detare.

Kategoritë
BotaLajme