



Sipas raportimeve, përplasja e armatosur ndodhi në afërsi të objektit që gjendet në një zonë të rëndësishme biznesi të qytetit, ku ndodhen edhe selitë e bankave më të mëdha turke. Televizioni NTV bën të ditur se njëri nga sulmuesit është kapur i plagosur, ndërsa tjetri është vrarë.
Informacionet jozyrtare sugjerojnë se të dyshuarit kanë hapur zjarr ndaj zyrtarëve policorë që po siguronin zonën rreth ndërtesës. Ende nuk dihet nëse objektivi i sulmit ishte konsullata izraelite.
Pamjet e agjencisë Reuters tregojnë momentet e të shtënave, ku shihet një polic duke nxjerrë armën dhe duke u strehuar ndërsa dëgjohen të shtëna. Në video shihet gjithashtu një person i shtrirë në tokë, i mbuluar me gjak.
Zona përreth konsullatës izraelite zakonisht është nën mbikëqyrje të rreptë policore. Pas incidentit, pamjet tregojnë prani të shtuar të forcave të armatosura policore që patrullojnë në atë pjesë të qytetit.
Autoritetet përkatëse ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me motivet e sulmit apo identitetin e sulmuesve.