Takimet e Ulutas me Kurtin dhe Osmanin, KFOR: Nënvizoi gatishmërinë për të siguruar bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara

Dje, Komandanti i misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, gjeneral major Ozkan Ulutas është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

KFOR-i ka njoftuar për këto takime, shkruan lajmi.net.

Në komunikatën e KFOR-it thuhet se gjenerali Ulutas, ka theksuar angazhimin e palëkundur për të vazhduar të kontribuojë në sigurinë në të gjithë Kosovën dhe në stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve.

“Ai gjithashtu nënvizoi gatishmërinë e KFOR-it për të siguruar koordinim dhe bashkëpunim efektiv me të gjithë palët e interesuara përkatëse, duke përfshirë institucionet në Kosovë dhe organizatat e sigurisë së Kosovës. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të gjatë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – duke kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, dhe lirinë e lëvizjes, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, ka njoftuar KFOR-i.

Për këto takime, ka njoftuar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti edhe presidentja Vjosa Osmani, të cilët kanë theksuar rëndësinë e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të vendit dhe të misionit të NATO-s në Kosovë.

Gjeneralmajori Ozkan Ulutas ka marrë komandën e KFOR-it nga gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani më 3 tetor të këtij viti.

Ai është gjenerali i parë i cili rikthehet për një mandat të dytë në Kosovë.

Gjeneralmajori turk ishte në krye të KFOR-it në Kosovë nga tetori i vitit 2023 deri në tetor 2024. /Lajmi.net/ 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi