Sulmuesi (14) nga Turqia kërkoi frymëzim te një vrasës amerikan, policia arrestoi 83 persona për lavdërimin e krimeve

Nxënësi (14) që vrau nëntë persona në juglindje të Turqisë, përfshirë tetë bashkëmoshatarë të tij, përdorte në profilin e tij në WhatsApp një foto që i referohej vrasësit masiv amerikan Elliot Rodger nga viti 2014.

Në një tjetër sulm me armë në shkollat e Turqisë brenda vetëm dy ditësh, një nxënës i shkollës së mesme të mërkurën në provincën Kahramanmaraş plagosi edhe 20 persona para se të vetëvritej.

Policia turke bëri të ditur se gjetjet fillestare tregojnë se sulmuesi përdorte një imazh të lidhur me Rodgerin, i cili në vitin 2014 vrau gjashtë studentë pranë Santa Barbarës në Kaliforni.

“Gjetjet fillestare tregojnë se nuk ka lidhje me terrorizmin, besohet se bëhet fjalë për një sulm individual”, njoftoi policia.

Sulmuesi në Turqi përdori pesë armë zjarri që i përkisnin babait të tij, një zyrtar policor. Gjykata ka caktuar paraburgim edhe për babanë deri në përfundim të gjykimit, njoftoi prokuroria në Kahramanmaraş.

Gjatë hetimeve, prokuroria gjeti një dokument në kompjuterin e sulmuesit, i datës 11 prill, që tregonte se një sulm i madh do të kryhej së shpejti.

Policia njoftoi gjithashtu se 83 persona në mbarë Turqinë janë ndaluar për lavdërimin e krimeve dhe kriminelëve pas sulmeve të së martës dhe së mërkurës. Autoritetet bllokuan qasjen në 940 llogari në rrjete sociale dhe 93 grupe në Telegram për të njëjtën arsye.

Rodger kishte publikuar një manifest në internet para sulmit, ku shprehte frustrim për dështimet në marrëdhëniet me gratë, dhe më pas është lavdëruar nga disa autorë të sulmeve në shkolla.

Kategoritë
BotaLajme