Specializantët me vetëfinancim lirohen nga pagesa e shkollimit specialistik

Ministria e Shëndetësisë vendosi të lirojë nga pagesa e shkollimit specialistik për çdo vit, të gjithë specilizantët me vetëfinancim.

Përveç lirimit nga pagesa prej 500 euro për vitin e shkollimit specialistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, do të mundësojnë që këta 550 specializantë, të paguhen përmes subvencioneve gjatë shkollimit të tyre specialistik, me qëllim që të njëjtit ta përballojnë më lehtë krejt procesin e specializimit deri në përfundim të programit

Në një konferencë për media, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se kjo ky vendim është marrë me qëllim të mbështetjes dhe stimulimit për të gjithë specializantët

Zemaj: 550 specializantë janë në listën për financim përmes subvencionimit

  

“Që të futen në listën e financimit përmes subvencioneve, 280 mjekë të rinj në lëmin specialistike në stomatologji, 270 në mjekësinë e përgjithshme. Ky vendim është marrë me qëllim të mbështetjes dhe stimulimit për të gjithë specializantët që kanë nënshkruar kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë, për shkollim specialistik nga kategoria ‘specializanti me vetëfinancim’ që janë 550 të tillë. Kjo bëhet për të mundësuar për shkollim specialistik cilësor adekuat sipas planit dhe programit specialistik”, tha Zemaj.

Specalizanti i gjinekologjisë, Nol Smajli, tha se këtë mundësi po e shohin si një motiv për të vazhduar kontributin e tyre në sistemin shëndetësor kosovar.

Smajli: Futja në listën e financimit përmes subvencionimit motiv për ne

 

“Ishte një moment shumë i mirë për neve për ta vazhduar shkollimin specialistik. Ne ishim diku rreth 600 specializantë me vetëfinancim ku edhe kërkuam nga këta që të na ndihmojnë dhe treguan bashkëpunim nga fillimi dhe pas disa muajve proces erdhëm deri tek ky përfundim. I falënderoj shumë që na dhanë mundësinë dhe njëfarë motivi që të mos mendojmë që ta lëshojmë vendin”, u shpreh Smajli.

Nga muaji tetor sistemit të shëndetësisë i janë shtuar edhe 1500 specializantë, program ky i cili ishte i mbyllur për katër vite.

Kategoritë
LajmeVendi