



Sipas të njëjtit burim, Spanja ka pezulluar fluturimet mbi territorin e saj për të gjithë avionët luftarakë të lidhur me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit në luftën në Iran.
Ky vendim përfshin edhe avionët ushtarakë amerikanë të stacionuar në shtete të tjera, si Mbretëria e Bashkuar.
Autoritetet spanjolle më herët kishin penguar tashmë Uashingtonin që të përdorte dy baza kyçe ushtarake në jug të vendit. Bëhet fjalë për bazat Rota dhe Morón, të vendosura pranë qyteteve Cádiz dhe Sevilja, të cilat përdoren bashkërisht me SHBA-në.
Kryeministri Pedro Sánchez ka kritikuar publikisht sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit që nga fillimi i luftës më 28 shkurt. Ai e ka përshkruar këtë konflikt si një “luftë të paligjshme” dhe ka theksuar se Spanja nuk duhet të marrë pjesë në operacione të lidhura me këto sulme.
Përfaqësuesit e qeverisë spanjolle kanë bërë të qartë se Shteteve të Bashkuara nuk do t’u lejohet përdorimi i bazave Rota dhe Morón për nisjen e sulmeve ndaj Iranit.
Ndërkohë, të dhënat mbi lëvizjen e fluturimeve tregojnë se më shumë se dhjetë avionë amerikanë kanë larguar këto dy baza në ditët pas fillimit të luftës.