Në Slloveni janë miratuar sot amendamentet në Ligjin për Vozitësit, me ç’rast poseduesit e patentave të shoferit të lëshuara në Bosnje e Hercegovinë dhe që kanë vendbanim në këtë vend, do të mund t’i zëvendësojnë patentat e tyre pa iu nënshtruar pjesës praktike të provimit të vozitjes.
Kjo rregull vlen edhe për poseduesit e patentave të lëshuara në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë.
Sipas rregullave të reja, të gjithë do të jenë në gjendje t’i ndërrojnë patentat e shoferit brenda një viti nga regjistrimi i vendbanimit. Ata nuk do të kenë nevojë të japin provimin praktik, por do të duhet të paraqesin dëshmi për aftësi fizike dhe mendore për vozitje.
Në emër të propozuesve, Sandra Gazinkovski (Svoboda) shpjegoi se këtu nuk bëhet fjalë për futje privilegjesh, por për heqjen e një dallimi të pajustifikuar.
“Bëhet fjalë për një pengesë administrative që ngadalëson procedurat e punësimit dhe u shkakton njerëzve shpenzime të panevojshme, pritje dhe teste shtesë”, tha ajo.
Megjithatë, opozita kundërshtoi ligjin, duke theksuar se ndryshimi mund të ndikojë edhe në sigurinë rrugore.









