Sllovenia nuk do ta transmetojë Eurovision Song Contest këtë vit; në vend të tij do të shfaqë programin “Zërat e Palestinës”.

Televizioni RTV Slovenija këtë vit nuk do ta transmetojë Eurosong-un, pasi më herët u tërhoq nga gara për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit. Në të njëjtat orare, shikuesve do t’u ofrojë një paketë të veçantë programore me titull “Zërat e Palestinës”.

Sipas njoftimit të RTV Slovenija, programi do të transmetohet nga 10 deri më 20 maj dhe përmes filmave, dokumentarëve, emisioneve talk-show dhe analizave do të sjellë histori njerëzish si dhe kontekst më të gjerë të zhvillimeve aktuale në Lindjen e Mesme.

Bëhet e ditur se seria do të ofrojë perspektiva të ndryshme – nga përvojat personale të individëve deri te çështje më të gjera shoqërore dhe politike, me qëllim hapjen e hapësirës për mirëkuptim dhe mendim kritik mbi një nga temat kyçe të botës bashkëkohore.

Vëmendje të veçantë ka tërhequr fakti se oraret e transmetimit të këtyre emisioneve përkojnë me netët gjysmëfinale dhe finalen e Eurosong-ut.

“Me këtë paketë programore, RTV Slovenija vazhdon të përmbushë misionin e saj publik – të ofrojë përmbajtje të thelluar, të besueshme dhe shumëdimensionale që nxit mirëkuptimin, dialogun dhe mendimin kritik për problemet aktuale globale”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se Sllovenia ishte ndër vendet që pas asamblesë së vitit të kaluar të European Broadcasting Union hoqi dorë nga pjesëmarrja në Eurosong, pasi nuk u pranua propozimi për përjashtimin e Izraelit nga gara.

Përveç Sllovenisë, nga pjesëmarrja këtë vit janë tërhequr edhe Spanja, Irlanda, Islanda dhe Holanda.

Eurosong-u i këtij viti do të mbahet në Vjena, me gjysmëfinalet më 12 dhe 14 maj, ndërsa finalja më 16 maj.

Kategoritë
BotaLajme